Turqia po shihet si shtylla mbi të cilën mund të ndërtohet një arkitekturë e re rajonale
Nga Cagri Kosak, Turkey Today
Lufta e zhvilluar kundër Iranit nga aleanca SHBA-Izrael, ka rikthyer seriozisht në vëmendje nevojën për një sistem të ri sigurie në Lindjen e Mesme.
Ndërsa samiti i 36-të i liderëve të NATO-s, i mbajtur në Turqi, pritet të përcaktojë drejtimin e aleancës në nivel rajonal dhe global, besoj se është momenti për të rivlerësuar mundësinë e krijimit të një strukture të ngjashme me NATO-n në këtë rajon.
NATO u krijua gjatë Luftës së Ftohtë për t’iu kundërvënë kërcënimit sovjetik dhe arriti të ndërtojë modelin më të suksesshëm të mbrojtjes kolektive, duke garantuar bashkëpunim ushtarak, koordinim dhe standardizim mes vendeve anëtare.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, aleanca u shndërrua në një nga instrumentet kryesore që i mundësoi SHBA-së të konsolidonte pozicionin e saj si fuqia dominuese globale. Në Lindjen e Mesme nuk është arritur kurrë të ndërtohet një mekanizëm i ngjashëm.
Përpjekjet nisën që në vitet 1950, pas krijimit të Ligës Arabe, por mungesa e unitetit politik dhe interesat e ndryshme të vendeve të rajonit i penguan ato të merrnin formë.
Edhe CENTO, që synonte frenimin e ndikimit sovjetik, u shpërbë në vitin 1979, ndërsa Forca “Peninsula Shield” e vendeve të Gjirit u kufizua kryesisht në përballimin e kërcënimeve të brendshme.
Përpjekja më ambicioze ishte projekti “Middle East Strategic Alliance”, i prezantuar gjatë mandatit të parë të Donald Trump.
Edhe kjo nismë dështoi, sepse vendet arabe nuk ndanin të njëjtin perceptim për kërcënimet, nuk kishin prioritete të përbashkëta dhe nuk arritën të ndërtonin besimin e nevojshëm për një mbrojtje kolektive.
Edhe sot, shumica e shteteve të Gjirit vazhdojnë të mbështeten te prania ushtarake amerikane. SHBA ka rreth 50 mijë ushtarë në 19 baza në Lindjen e Mesme dhe e justifikon këtë prani me nevojën për të mbrojtur aleatët e saj, kryesisht nga Irani.
Megjithatë, është e pamundur të flitet për një arkitekturë të qëndrueshme sigurie kur Uashingtoni mbështet hapur Izraelin dhe nuk mban një qëndrim të balancuar ndaj konflikteve në rajon. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes disa vendeve arabe dhe Izraelit nuk prodhoi stabilitetin që premtohej.
Marrëveshjet e Camp David, më pas ato të Oslos, traktati me Jordaninë dhe Marrëveshjet e Abrahamit të vitit 2020 krijuan një realitet të ri politik, por nuk i zgjidhën konfliktet. Përkundrazi, ato thelluan ndarjet dhe rritën mosbesimin në rajon.
Ngjarjet e 7 tetorit 2023 dhe lufta që pasoi, treguan se normalizimi nuk u shndërrua kurrë në një arkitekturë sigurie. Për këtë arsye, nuk besoj se një aleancë rajonale që përjashton Izraelin do të mbështetej nga SHBA.
Po aq e pamundur duket edhe një aleancë ku Izraeli të jetë pjesë, për shkak të politikave të tij agresive, interesave të kundërta dhe mungesës së besimit mes vendeve të rajonit. Në këtë panoramë, Turqia po fiton një rëndësi të veçantë.
Përveç operacioneve kundër terrorizmit në Irak dhe Siri, ajo ka ndërtuar një industri të fuqishme të mbrojtjes dhe ka zgjeruar praninë e saj ushtarake nga Somalia deri në Katar.
Ndryshimet politike në Siri dhe mundësia për një integrim më të madh rajonal, krijojnë kushte që Ankaraja të marrë një rol shumë më aktiv në garantimin e sigurisë.
Dështimi i projektit amerikan për një “NATO arabe” po i shtyn vendet e rajonit të kërkojnë alternativa të reja.
Një prej tyre është pakti trepalësh i mbrojtjes mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit, i cili parashikon një angazhim të ndërsjellë të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s: një sulm ndaj njërit, konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Në të njëjtën kohë, formati R4, që bashkon Turqinë, Arabinë Saudite, Pakistanin dhe Egjiptin, po krijon bazat e një bashkëpunimi politik dhe ushtarak për mbrojtjen e rrugëve tregtare dhe menaxhimin e krizave pa ndërhyrjen e fuqive të jashtme.
Këto nisma tregojnë se siguria e Lindjes së Mesme mund të ndërtohet vetëm mbi bashkëpunimin mes aktorëve rajonalë dhe jo mbi projekte të imponuara nga jashtë.
Vendet e Lindjes së Mesme kanë nevojë për një ombrellë sigurie të ngjashme me NATO-n për t’u përballur me kërcënimet e shumta që i rrethojnë.
Turqia, falë pozicionit të saj gjeopolitik, fuqisë ushtarake dhe aftësisë për të ruajtur marrëdhënie si me Perëndimin, ashtu edhe me Rusinë e Kinën, është vendi që mund t’i japë jetë kësaj arkitekture të re. \tesheshi








