Nga një dramë në qiell te llogaritë politike në Tel Aviv
Një incident i rëndë sigurie ka ndodhur mëngjesin e sotëm në bordin e fluturimit FlyDubai FZ 1073 që udhëtonte nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Tel Avivit me 174 pasagjerë në bord, mes të cilëve 27 fëmijë.
Gjatë fluturimit, avioni pësoi një rënie të menjëhershme e dramatike prej mbi 4.000 metrash në më pak se një minutë, ndërsa nga kabina u transmetuan kodet e urgjencës 7700 dhe 7500, kjo e fundit që sinjalizon grabitje apo marrje me forcë e kontrollit të avionit.
Sipas dëshmive të pasagjerëve dhe raportimeve mediatike, brenda kabinës shpërtheu një përleshje e përgjakshme kur një prej pilotëve sulmoi me thikë kolegun e tij dhe pjesëtarë të ekuipazhit, duke tentuar të merrte kontrollin e plotë të mjetit.
Tragjedia u shmang falë ndërhyrjes me forcë të disa pasagjerëve izraelitë – mes të cilëve pilotë jashtë shërbimit dhe agjentëve të sigurisë – të cilët arritën të mepsnin e të neutralizonin agresorin.
Avioni Boeing 737 MAX u devijua me urgjencë drejt aeroportit të Tabukut në Arabinë Saudite, ku kreu një ulje të detyruar duke pësuar edhe dëmtime strukturore për shkak të manovrës agresive gjatë uljes.
Ndërsa dy pilotët e plagosur u dërguan me urgjencë në spital dhe autoritetet saudite siguruan pasagjerët në terminal, shkaqet e sakta të ngjarjes mbeten ende të turbullta, mes hipotezave për një sherr të brendshëm mes ekuipazhit, një tentativë vetëvrasjeje apo një akti të mirëfilltë terrorist.
Gjithsesi, reagimi i institucioneve në Izrael ishte i menjëhershëm dhe me tone alarmuese. Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe Ministri i Mbrojtjes Israel Katz thirrën menjëherë një mbledhje urgjente me krerët e të gjitha strukturave kryesore të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare – përfshirë ushtrinë (IDF), Shin Bet-in, Mossad-in dhe Policinë.
Paralelisht, Ministrja e Transportit, Miri Regev, kërkoi pezullimin e menjëhershëm të të gjitha fluturimeve të kompanisë FlyDubai drejt Izraelit.
Mobilizimi i të gjithë aparatit shtetëror për një incident në një avion të një kompanie të huaj, tregon se kabineti qeveritar izraelit po e trajton ngjarjen jo si një emergjencë rutinë të aviacionit civil, por si një kërcënim kombëtar të nivelit më të lartë.
Për vëzhguesit politikë, ky zhvillim përkon me një moment tejet delikat për të ardhmen politike të Netanyahut, i cili përballet me presione të forta të brendshme dhe një kalendar zgjedhor mjaft të rrezikshëm.
Nën këtë optikë, kornizimi i ngjarjes si një “sulm terrorist ajror” krijon truallin e duhur për të forcuar më tej masat e ‘”gjendjes së jashtëzakonshme”, duke u dhënë kompetenca shtesë shërbimeve sekrete dhe duke kufizuar liritë publike.
Krahasimi i bërë menjëherë nga zyrtarët izraelitë me “sulmet e 11 Shtatorit ne SHBA” apo krizën e Entebbe-s ushqen narrativën se vendi ndodhet nën një rrethim ekzistencial.
Synimi përfundimtar i kësaj retorike lidhet drejtpërdrejt me shtyrjen ose anulimin e zgjedhjeve. Duke e paraqitur vendin në një krizë të hapur sigurie, qeveria izraelite mund të pretendojë se mbajtja e procesit elektorale cënon unitetin kombëtar, duke e kthyer këtë incident në mjetin ideal politik për të konsoliduar pushtetin e Netanyahut. \tesheshi








