Koha në të cilën jetojmë krijon një prirje të fortë që njerëzit të shfaqin atë që posedojnë, sidomos në aspektin material. Për të fituar shikueshmëri dhe për të tërhequr vëmendje, shumëkush e ekspozon jetën, suksesin dhe pasurinë e vet. Madje, në shumë raste krijohet edhe një ndjenjë e gabuar sikur mirësitë nuk kanë vlerë dhe nuk shijiohen, nëse nuk shfaqen dhe nuk marrin miratim përmes “like”-ve dhe reagimeve në rrjetet sociale. Por kjo shpesh kthehet në dëm, si në jetën private, ashtu edhe në atë biznesore, për shkak të zilisë, syrit të keq dhe lakmisë së njerëzve me karakter të dobët.
Në këtë kontekst, na kujtohen fjalët e Pejgamberit a.s.:
“Ndihmojeni përmbushjen e nevojave tuaja me fshehtësi, sepse çdo njeri që posedon një mirësi është i rrezikuar nga xhelozia.”
Ashtu siç njeriut i rrezikohet pasuria dhe prona, edhe më shumë i rrezikohen veprat e mira. Armiku i tij i përbetuar, shejtani, përpiqet t’ia shkatërrojë ato përmes dëshirës për famë, syfaqësisë dhe dobësive të tjera shpirtërore.
Për t’u mbrojtur nga këto rreziqe, kemi nevojë ta ndryshojmë qasjen tonë ndaj asaj që shfaqim nga jeta jonë dhe asaj që e ruajmë në privatësinë tonë.
Këtu lind një pyetje thelbësore: a kemi kapital në ndonjë llogari të fshehtë me Allahun?
Ashtu si njeriu kujdeset të kursejë pasuri për ditë të vështira, edhe më shumë duhet të kujdeset për kursimet e shpirtit. Sepse vijnë momente kur sprovat nuk janë materiale, por të brendshme… dhe atëherë nuk të shpëton ajo që ke në duar, por ajo që ke ndërtuar në fshehtësi me Allahun.
Ajo që është më e vlefshme se çdo pasuri është llogaria e fshehtë e veprave të mira: adhurime dhe mirësi që i bën vetëm për Allahun, pa e ditur askush. Këto janë thesaret e vërteta që ruajnë sinqeritetin dhe bëhen mburojë në kohë vështirësish.
Kur’ani dhe Suneti e ngrejnë lart këtë vlerë: sadakaja e fshehtë është më e mirë, ndërsa Allahu e do robin e devotshëm, të pastër dhe të fshehtë. Edhe historia e tre personave në shpellë na mëson se veprat e sinqerta, të bëra në fshehtësi, bëhen shkak për shpëtim dhe lehtësim nga vështirësitë.
Brezi i parë e kupton thellë këtë realitet. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të) del herët në mëngjes dhe i shërben një gruaje të varfër pa u njohur. Zejnul Abidini mban ushqim në shpinë natën dhe ua çon të varfërve, ndërsa kjo zbulohet vetëm pas vdekjes së tij. Shumë prej tyre kanë adhurime për të cilat nuk dinë as familjarët e tyre.
Edhe më vonë, njerëz të devotshëm e jetojnë këtë frymë: disa ua shlyejnë borxhet të varfërve në heshtje, të tjerë ndihmojnë familje për vite me radhë pa u njohur. Madje, vetëm pas vdekjes së tyre zbulohet se dhjetëra familje jetojnë nga ndihma e tyre e fshehtë.
Qëndrueshmëria përballë sprovave varet nga ky kapital në llogarinë e padukshme. Veprat që bëhen para njerëzve mund të sjellin lavdërime, por vetëm e mira e fshehtë jep qetësi të vërtetë dhe bindje të palëkundur.
Prandaj, secili prej nesh ka nevojë për një “mihrab të fshehtë” – një hapësirë mes tij dhe Allahut, ku ndërtohet imani në heshtje: një namaz nate, një lot në vetmi, një sadaka pa emër, një e mirë që nuk e di askush.
Sepse pikërisht aty ndërtohet forca e brendshme që të mban kur rrugët ngushtohen… dhe aty lind një lidhje me Allahun që nuk ka nevojë për dëshmitarë.
Allahu na ruajt nga syefaqësia që i prish veprat, nga lakmia për të arritur famë para njerëzve dhe nga çdo gjë që e dëmton sinqeritetin tonë. Na bë prej atyre që punojnë në heshtje, por që pranohen tek Ti.
Na jep zemra të pastra, që e kërkojnë vetëm kënaqësinë e Tënde, dhe na shto nga “llogaria e fshehtë” që na shpëton në ditët më të vështira. Amin.
Hoxhë Rufat Sherifi







