Stabilitokracia si vrasëse e rotacionit dhe drejtësia në provën e zjarrit
Në skenën e vjetër të politikës shqiptare, perdet ngrihen e bien gjithmonë mbi të njëjtët protagonistë. Episodi i fundit mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit nuk është thjesht një grindje brenda llojit.
Ai ngjan me një dekonspirim të pavullnetshëm të një skeme të hershme. Akuzat e Salianjit, sipas të cilit Berisha u lirua nga arresti me kushtin që Rama të mbetet në pushtet deri më 2033, mund të duken si hakmarrje personale.
Por historia e dy dekadave të fundit, na ofron mjaft fakte dhe shenja që sugjerojnë një bashkëpunim të heshtur mes dy poleve të politikës. Dhe ky bashkëpunim nuk është i ri.
Ai nisi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që shkatërruan rolin e deputetit si përfaqësues i popullit dhe fuqizuan kryetarët. Vijoi me heshtjen pas tragjedisë së Gërdecit, me marrëveshjen e vitit 2017 për qeverinë teknike, dhe kulmon sot me ndryshimet në Kodin Zgjedhor e reformën e re territoriale.
Projekti për një “Senat” duket si stacioni i fundit: një pensionim aktiv për gardën e vjetër politike. Por pyetja thelbësore mbetet: ku qëndron drejtësia e re në këtë mes? Nëse SPAK dhe gjykata speciale shndërrohet në pjesë të kësaj regjie, demokracia ka vdekur.
Drejtësia nuk mund të jetë mjet pazari për liri politike. Nëse prangat vendosen e hiqen sipas nevojave të pushtetit, reforma ka dështuar. SPAK duhet të dëshmojë me akte të prera se nuk është thjesht një dekor i shtrenjtë në këtë skenografi bipolare.
Siç është shprehur së fundmi edhe ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi, Rama dhe Berisha i kanë vendosur stërkëmbësha vetë demokracisë: njëri kontrollon qeverinë, tjetri mban peng opozitën.
Simbioza e tyre garanton mbijetesën e të dyve, por jo të demokracisë. Sigurisht, kjo skemë nuk do të mbijetonte pa bashkëfajësinë e faktorit ndërkombëtar. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja shpesh zgjedhin stabilitetin mbi demokracinë.
Për Brukselin dhe Uashingtonin, një Shqipëri e qetë është më e rëndësishme se një Shqipëri me rotacion politik të vërtetë. Ata preferojnë të merren me dy udhëheqës që kontrollojnë gjithçka me dorë të hekurt, duke sakrifikuar substancën e demokracisë për hir të një stabiliteti të rremë.
Vota e lirë zëvendësohet me pazare kryetarësh, ndërsa institucionet kthehen në noterë të paktit. Shqipëria po rrëshqet drejt një autoritarizmi bipolar, ku populli mbetet spektator i pafuqishëm në një teatër kukullash.
Nëse ky pakt nuk thyhet, dhe jo domosdoshmërisht nga largimi nga kjo botë i doktorit, viti 2033 mund të shënojë certifikatën e vdekjes së demokracisë shqiptare.
Rruga drejt Europës nuk kalon përmes stërkëmbëshave të radhës, por përmes votës së lirë, që nuk negociohet në shtëpi private dhe nuk shitet në pazare politike. /tesheshi






