Ballina Artikuj A vuan nga sindroma e shpëtimtarit?

A vuan nga sindroma e shpëtimtarit?

Hoxhë Halil Avdulli

«Vërtet, ti nuk mund ta udhëzosh atë që do, por Allahu udhëzon kë të dojë.» (El-Kasas, 56)

Përpjekjet e tepruara për t’i ndryshuar të tjerët. Ndonjëherë, merr rolin e heroit për të shmangur përballjen me dhimbjet dhe problemet e tua. Të merresh vazhdimisht me betejat e të tjerëve mund të jetë një formë e sofistikuar e shtyrjes së përballjes me veten. Askush nuk ndryshon nëse nuk dëshiron vetë. Prandaj, rimerr energjinë që po e shpenzon kot në përpjekjet për të ndryshuar jetën e të tjerëve.
Njerezit mesojne edhe nga gabimet: Lëre një person të afërt të përballet me pasojat e gabimit të vet, pa ndërhyrë menjëherë për ta shpëtuar. Mëso artin e të vëzhguarit pa u përfshirë në gjithçka.

Të këshillosh për të mirë, të ndalosh nga e keqja si dhe të jesh model i mire është përgjegjësi morale, por ta ndryshosh tjetrin nuk është në dorën tënde.

Dallimi qëndron te mënyra se si e bën këtë: a këshillon nga përgjegjësia dhe dëshira për të mirën e tjetrit, apo përpiqesh ta shpëtosh atë nga çdo gabim, sepse nuk e duron dot ta shohësh duke gabuar?

Ndonjëherë, pas përpjekjeve të tepruara për t’i ndrequr të tjerët, fshihet shmangia e përballjes me veten. Njeriu angazhohet aq shumë në betejat e të tjerëve, saqë harron betejat e veta.

Prandaj, këshillo me urtësi, sinqeritet dhe durim, por mos e ngatërro detyrën për të këshilluar me përgjegjësinë për të ndryshuar njerëzit. Ti je përgjegjës për fjalën dhe veprën tënde, jo për çdo zgjedhje që bëjnë të tjerët.

Ushtrimi i ditës: Para se të ndërhysh për ta korrigjuar dikë, pyete veten: A është kjo ndërhyrje e nevojshme dhe e dobishme, apo po përpiqem të kontrolloj diçka që nuk është në dorën time?

Ndonjëherë, e mira kërkon të flasësh; ndonjëherë, të presësh; e ndonjëherë, ta lësh tjetrin të përballet me pasojat e zgjedhjeve të veta, pa ia mohuar ndihmën kur ka vërtet nevojë.

Islami na ngarkon me përgjegjësinë për të këshilluar dhe për të nxitur të mirën, por jo me pushtetin për t’i detyruar zemrat të ndryshojnë. Këshillimi nuk është sindromë shpëtimtari; ai mund të shndërrohet në të tillë kur shoqërohet me nevojën për të kontrolluar, me ndërhyrje të tepruara dhe me paaftësinë për të pranuar kufijtë e ndikimit tonë.

Hoxhë Halil Avdulli