Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po monitoron demonstratat e vazhdueshme në Iran për shenja se ato mund të rrëzojnë qeverinë iraniane, transmeton Anadolu.
Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha për ‘Axios’ se “protestat janë serioze dhe do të vazhdojmë t’i monitorojmë”.
Më herët, raporton ‘Axios’, administrata amerikane vlerësoi se protestat që nisën në fund të dhjetorit nuk kishin forcë të mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë iraniane, por ky vlerësim po rishqyrtohet pasi ato fituan vrull më vonë gjatë javës.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi raportin.
Që nga fundi i dhjetorit, Irani ka përjetuar valë protestash për shkak të rënies së ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.
Demonstratat nisën më 28 dhjetor pranë Pazarit të Madh të Teheranit dhe më pas u zgjeruan në një numër qytetesh në të gjithë vendin. Sipas monitoruesit të internetit NetBlocks, vendi ka qenë jashtë linjës së internetit për më shumë se 12 orë.
Zyrtarët iranianë nuk kanë publikuar statistika zyrtare për viktimat. Megjithatë, dje Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA) tha se 2.277 persona janë arrestuar, dhjetëra janë plagosur dhe 42 janë vrarë, përfshirë tetë anëtarë të forcave të sigurisë.
Irani ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se po nxisin trazirat, ndërsa zyrtarët paralajmëruan se forcat e sigurisë dhe gjyqësori iranian “nuk do të tregojnë asnjë tolerancë ndaj sabotuesve”.
Më 2 janar, presidenti Trump paralajmëroi se SHBA-ja do të ndërhynte nëse Irani vret protestues paqësorë.
Më vonë, në komente të raportuara më 8 janar, Trump ia atribuoi disa nga vdekjet gjatë protestave problemeve të kontrollit të turmës dhe shtypjeve.
“Epo, disa u vranë për shkak të, e dini, problemeve të kontrollit të turmës dhe gjëra të tjera. Nuk e di”, tha ai.
Presidenti amerikan shtoi se po e monitorn situatën shumë nga afër, duke përmendur numrin e madh të turmave të njerëzve.







