Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka paraqitur ankesë kundër një vendimi gjyqësor që riktheu financimin federal për Universitetin Harvard, i cili ishte pezulluar për shkak të akuzave për përhapje të antisemitizmit dhe njëanshmëri brenda institucionit.
Avokatët e administratës Trump njoftuan se çështja është dërguar në një gjykatë federale apeli, ndërsa ende nuk është caktuar data e seancës dëgjimore.
Më herët, administrata kishte vendosur kufizime që pengonin Harvardin, me seli në Kembrixh të Masaçusetsit, të përfitonte fonde federale për ndihma studentore. Po ashtu, ishin ngrirë rreth 2.6 miliardë dollarë grante federale dhe ishte hequr certifikimi që lejon studentët e huaj të studiojnë në SHBA.
Studentët ndërkombëtarë përbëjnë rreth 27 për qind të totalit të studentëve të regjistruar në Harvard për vitin akademik 2024–2025 dhe janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për universitetin.
Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ndërmarrë masa të ashpra ndaj universiteteve, duke kërcënuar me ndërprerje financimi federal për çështje të ndryshme, përfshirë protestat pro-palestineze kundër luftës në Gaza, si dhe politikat për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. /mesazhi








