Afrin, zbulohet një bazë nëntokësore për strehimin e 1.000 terroristëve

Një bazë nëntokësore me kapacitet për të strehuar një mijë terroristë është zbuluar në rajonin Afrin të Sirisë, i cili u pastrua nga terroristët në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” të iniciuar nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS), raporton Anadolu Agency (AA).

Pas marrjes nën kontroll të qendrës së Afrinit më 18 mars forcat e ULS-së të cilët vazhdojnë aktivitetet e kërkimeve dhe kontrolleve në këtë rajon kanë zbuluar një bazë nëntokësore në zonat periferike të Afrinit.

Kjo bazë nëntokësore e cila ishte në fazën e përfundimit të ndërtimit dhe e cila është filmuar nga AA-ja ndodhet në një zonë të pyllëzuar në malet që rrethojnë Afrinin.

Vërehet se baza ka një thellësi 10 metra në nëntokë dhe është e mbuluar nga një zonë e pyllëzuar me pemë pisha dhe se ka hyrje e dalje të cilat janë në një pozicion të vështirë që të përcaktohen nëpërmjet mjeteve ajrore dron.

Rruga me një gjerësi 8 metra në hyrjen kryesore, pasi zbret në nëntokë ajo vazhdon më pas me një tunel me gjatësi rreth 100 metra, ku në fund të tij del përballë një korridor i ndërtuar në formë rrethore.

Nga këtu ndodhen edhe 3 korridore të tjerë me një gjerësi 4 metra dhe lartësi 5 metra të cilat vazhdojnë në drejtime të ndryshme.

Theksohet se çdo korridor ka një gjatësi prej 100-120 metra.

Dhe në fund të korridoreve ndodhet një hapësirë me salla konferencash, dhjetëra dhoma dhe dalje emergjence, një hapësirë kjo për të akomoduar rreth një mijë terroristë.

Ndër të tjera vërehet se që nga hyrja të gjithë tunelet kanë një gjerësi dhe lartësi të mjaftueshme ku mund të kalojnë automjetet.

Ndërkohë tërheq vëmendjen se baza nëntokësore është gërmuar me makineri të posaçme dhe se është ndërtuar me shtylla të shumta dhe mure të trasha prej 1 metrash.

Në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” i cili nisi më 20 janar 2018, edhe më parë janë zbuluar shumë tunele dhe strehimore të cilat i përkisnin terroristëve.