Agim Bahtiri ‘bashkon’ Mitrovicën

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka votuar dje pro iniciativës së Agim Bahtirit për bashkim të Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut, por fati i kësaj nisme tashmë është në dorë të Qeverisë. Kjo e fundit duhet ta shqyrtojë ose ta hedhë poshtë një kërkesë të tillë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur dje nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, u votua në mënyrë unanime nisma e tij, e cila parashihte ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim të bashkimit të Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut. Pas miratimit kjo rezolutë i është propozuar Qeverisë së Kosovës që ta marrë në shqyrtim.

Kryetari Bahtiri në konferencën për medie, që mbajti pas seancës, kërkoi nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës që iniciativa e tij të merret seriozisht. Ai theksoi se kjo nismë është e drejtë dhe se deputetët janë të thirrur t’i dëgjojnë qytetarët, t’u shërbejnë atyre dhe rrjedhimisht t’i përgjigjen kësaj kërkese.

“Kërkoj nga Qeveria dhe nga kuvendarët tanë ta bëjnë realitet këtë kërkesë tonën, sepse është shumë e arsyeshme, shumë e drejtë dhe shumë demokratike”, ka deklaruar Bahtiri.

Bahtiri ka thënë se pret përkrahje edhe nga presidenti sepse, sipas tij, kushdo që mendon në të mirë të qytetarëve nuk mund ta kundërshtojë këtë iniciativë.