Konferenca ndërkombëtare me temë “Agjencitë e lajmeve vs Fake News” më 3 dhe 4 dhjetor ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të agjencive zyrtare më prestigjioze të lajmeve nga rajoni, por dhe vende të tjera të botës, ku diskutuan për sfidat e agjencive të lajmeve përballë fenomenit të lajmeve të rreme, ndërsa në fund të saj u publkua një deklaratë e përbashkët.
Konferenca u organizua nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA), ndërsa Anadolu Agency (AA) në këtë konferencë u përfaqësua nga Ogün Duru, editor i agjencisë për lajmet e jashtme.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e agjencive të lajmeve theksuan domosdoshmërinë e përballjes me fenomenin global të lajmeve të rreme.
Ata theksuan se teknologjitë e reja mundësojnë përhapjen shumë të shpejtë të lajmeve të rreme, konfuze dhe që cenojnë një nga liritë themelore të njeriut, siç është e drejta e informimit.
Agjencitë e lajmeve pjesëmarrëse në këtë konferencë në fund të saj dolën me një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se kanë rënë dakord për të luftuar së bashku kundër fenomenit global të “fake news”.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se është rënë dakord për bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes agjencive të lajmeve për verifikimin dhe zbulimin në kohë të lajmeve të rreme, zhvillimin e mjeteve efikase për fuqizimin e përdoruesve të internetit dhe gazetarëve për parandalimin e dezinformomit, rritjen e transparencës së lajmeve online, duke përfshirë zhvillimin e vazhdueshëm të gazetarisë profesionale, etj.
Gjithashtu agjencitë angazhohen edhe për mbrojtjen e diversitetit dhe qëndrueshmërisë së ekosistemit mediatik për lajmin e vërtetë.
Në deklaratë iu bëhet thirrje gjitha agjencive të lajmeve, shtetërore apo private, si dhe organizatave ndërkombëtare të agjencive të lajmeve, të bashkohen në këtë deklaratë.
Deklarata e Tiranës është nënshkruar nga agjencitë: AA (Turqi), ATA (Shqipëri), ANA MPA (Greqi), HINA (Kroaci), BTA (Bullgari), AZERTAC (Azerbajxhan), PAP (Poloni), AGERPRES (Rumani), TASR (Sllovaki), UKRINFORM (Ukrainë), CNA (Qipro Greke), FENA (BeH) dhe TANJUG (Serbi).



