Aktakuzë ndaj 27 personave, kontrabanduan 700 shtetas sirianë nga Shqipëria në Serbi përmes Kosovës

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 27 personave për kontrabandim me migrantë, raporton teve1.info

Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit janë marrë me kontrabandim të migrantëve, kryesisht shtetas sirianë, duke u mundësuar mbi 700 vetave kalimin nga Shqipëria në Serbi, përmes Kosovës.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzet e shtatë (27) të pandehurve me inicialet M.A, A.A, M.S, A.H, L.H, M.A, L.U, SH.M, A.K, F.S, L.S, A.S, B.A, E.A, U.E, B.G, F.G, N.B, Q.S, N.T, G.K, B.U, E.B, B.B, F.I, A.I, dhe L.Z. Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër njëzet e shtatë (27) të pandehurve është ngritur për shkak se të njëjtit në tërë territorin e Kosovës, në bashkëveprim në mes vete janë marrë me veprimtarinë e kundërligjshme të ‘’Kontrabandimit të migrantëve’’, kryesisht shtetasve Sirian, ku i është mundësuar më shumë se shtatëqind (700) personave kalimi nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Kosovës dhe kalimi i tyre në Republikën e Serbisë, e që qëllim kishin shkuarjen në vendet evropiane”, thuhet në komunikatë.