Alarmet e rreme për bomba marrin jehonë në Ballkan

Me përjashtim të Shqipërisë, e cila në përiudhën e fundit ishte cak i sulmeve kibernetike, në pjesët e tjera të Ballkanit prej fillimit të vitit e deri më ditët e sotme vazhdojnë të dërgohen posta elektr për vendosjen e mjeteve shpërthyese.

Përgjatë gjithë vitit të cilin po e lëmë pas në vende të ndryshme të Ballkanit janë dhënë alarme të rreme për vendosjen e bombave. Fatmirësisht të gjitha këto paralajmërime, të cilët kryesisht kumtohen nëpërmjet postës elektronike nuk janë realizuar. Megjithatë, të njëjtit kanë ndikuar në rritjen e shqetësimeve në opinion.

Praktika e deritanishme e alarmeve të rreme në vendet e Ballkanit, ndryshon nga vendi në vend. Në disa vende këto lajme të rreme jepen se “bombat” janë vendosur në institucionet arsimore, në vende të tjera në instancat gjyqësore. Por, ekzistojnë alarme se mjete shpërthyese janë vendosur edhe në aeroporte.

Në vazhdim TRT Balkan ju sjell analizën se në cilat vende të rajonit jepen këto alarme të rreme dhe cilave institucione u adresohen.

Shkollat shënjestër në Maqedoninë e Veriut

Disa javë me radhë shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut, por së fundmi edhe institucionet si Banka Popullore e këtij shteti janë cak i alarmeve të rreme për vendosjen e bombave.

Shqetësimet më të mëdha i përjetojnë nxënësit, të cilët në mes të procesit edukativo-arsimor shpeshherë ditëve të fundit janë detyruar të largohen nga klasat e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, në prononcimin e fundit para gazetarëve theksoi se këto janë shembull klasik i kërcënimeve hibride. Sipas tij, në bashkëpunim me partnerët e vendit po ndërmerren të gjitha masat për të siguruar dëshmi nga cilido aspekt.

“Brenga është e madhe, por qëllimi i këtyre kërcënimeve hibride është pikërisht kjo. Vendosja e shqetësimeve te qytetarët, të ketë pasiguri, të ndikohet mbi institucionet, të harxhohen shërbimet e sigurisë së shtetit”, tha ministri Spasovski.

Maqedonia e Veriut prej vitit 2020 është anëtari i 30-të i NATO-s.

Instancat gjyqësore në Kroaci

Lajmi kryesor i orëve të para të 5 dhjetorit në Kroaci ishte se në shumë institucione gjyqësore ka paralajmërime për vendosjen e mjeteve shpërthyese. Paraprakisht alarmet për mjete shpërthyese të rreme ishin njoftuar në qendrat tregtare në këtë shtet të Ballkanit, por që është pjesë e Bashkimit Evropian prej disa vitesh.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë pjesëmarrjes në samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, tha se qëllimi i këtyre alarmeve është “shqetësimi i opinionint dhe i të gjitha institucioneve”.

Inspektimet kundër shpërthimit dhe kontrollet nga punonjësit e policisë në Kroaci, siç njoftoi policia e shtetit kanë konstatuar se të gjitha denoncimet ishin të rreme.

Aeroporti dhe shkollat në Kosovë

Brenda këtij viti instancat e sigurisë në Kosovë janë ballafaquar me alarme të rreme për bombat në disa institucionet arsimore, (shkolla dhe universitete) si dhe në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

“Pas njoftimit të më hershëm për kërcënime me mjete shpërthyese në disa shkolla/lokacione, Policia e Kosovës, njësitet përkatëse që merren me kontroll në raste të kërcënimeve me mjete shpërthyese, kanë kryer kontrollet e atyre lokacioneve dhe në të gjitha lokacionet e kontrolluara nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, pra njoftimet kanë rezultuar të rrejshme”, njoftuan muaj më parë nga Policia e Kosovës.

Aktgjykime për paralajmërime të rreme në BeH

Në intervale të ndryshme kohore prej fillimit të viti e deri më sot kërcënime për mjete shpërthyese në institucionet publike janë regjistruar edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Për dallim nga vendet tjera të rajonit, në BeH tashmë ekziston aktgjykim për paralajmërim të rremë për bombë.

Gjykata e Sarajevës në fund të muajit nëntor i shpalli fajtor dy qytetar dhe i dënoi me nga gjashtë muaj burg për kryerjen e veprës penale kërcënim të sigurisë dhe denoncimit të rremë. Të dënuarit sipas Gjykatës së Sarajevës, me 5 korrik të vitit 2022 kanë paraqitur denoncim të rremë për vendosjen e bombës në Gjykatës Supreme të BeH.

Kërcënime për 41 shkolla në Mal të Zi

Gjatë muajit prill mbi 40 shkolla në Mal të Zi kishin pranuar posta elektronike së në kuadër të objekteve të tyre janë vendosur mjete shpërthyese. Në bazë përmbajtjes të cilën e kanë publikuar mediat malazeze mund të shihet një pjesë e përmbajtjes të cilën e kanë dërguar kërcënuesit ku thonë “se gjithnjë kemi ëndërruar për hakëmarrje, do të vijmë në shkollë, të gjithëve do t’ju vrasim”.

Pavarësisht faktit se këto lajme kishin reltuar të rreme, drejtuesit e shkollave me urgjencë i kishin ndërprerë orët e mësimit.