Allahu është Dhuruesi

Dr. Selman el-Audeh

Nga emrat e Allahut Lavdiplotë është “El Ueh-hab-dhuruesi”. Këtë atribut e shohim në Kuranin Fisnik, në fjalën e Lavdiplotit: “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”[1] në fjalën e Tij: “A mos ata i kanë depot e mëshirës së Zotit tënd, Ngadhënjyesit, Dhuruesit!][2] dhe në fjalën e Tij: “(Sulejmani) Tha: ‘Zoti im, më fal (gabimin), më dhuro të tillë pushteti që askush pas meje nuk do ta ketë; vërtet, Ti je dhuruesi më i madh”[3] .

Allahu Lavdiplotë gjithashtu thotë: “Çdo të mirë që keni, ajo është prej Allahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngrini zërin (me lutje). Pastaj, kur Ai e largon prej jush dënimin, ja, një grup prej jush i përshkruajnë (i bëjnë) shok Zotit të tyre”[4]

Robërit ngazëllehen dhe ndihen mirë në mirësinë e dhuratave të Tij pa mbarim, madje ndodh edhe të abuzojnë me to shprehimisht ose përmes mënyrës sesi sillen. Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar e ka mohuar mundësinë e robërve, që të arrijnë t’i bëjnë një bilanc mirësive dhe dhuntive të Tij, duke thënë: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu shumë fal dhe shumë mëshiron”[5] dhe duke thënë: “…Nëse përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës”[6].

Aftësitë e njeriut nuk mund të arrijnë t’i bëjnë një bilanc mirësive të Allahut të Lavdishëm dhe Lartmadhëruar.

Për shembull: Në trupin e njeriut ka njëqind trilion qeliza, numër ky që nuk presupozon se ai përbën njëqind trilion mirësi, porse brenda çdo qelize ka aq e aq mirësi më vete. Çdo qelizë i ekspozohet një shifre të panumërt epidemish dhe anomalish, që kanë mundësi ta prekin. Allahu është Ai, që me aftësinë dhe mëshirën e Tij e mbron këtë qelizë nga këto sëmundje.

Po kështu, nëse njeriu do bënte të numëronte mirësitë e Allahut të Lartësuar të fiksuara në trupin e njeriut, do shikonte se është i paaftë t’i numërojë. Edhe nëse supozojmë, se njeriu arrin të fiksojë një numër për mirësitë e Allahut në trupin e tij; por si do arrijë njeriu të numërojë mirësitë e Allahut të Lavdishëm dhe të Lartmadhërishëm, që kanë të bëjnë me shpagime, nga të cilat Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar e mbrojti njeriun, mirësi për të cilat Allahu nuk kërkon shpagim. Vetëm me disa prej këtyre shpagimeve dhe dënimeve Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar i sprovoi disa prej robërve të Tij dhe këtë e bëri për haqet e shumta hyjnore, që ata kanë lënë pas dore.

Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar të dha ty, madje të dha shumë. Ai është i pasur; kënaqet që kur ti të hash, ta falënderosh për këtë, kur të pish një gllënjkë, të falënderosh edhe për këtë.

Fol mbi mirësinë e Allahut të Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar, falendëroje dhe lëvdoje Zotin tënd, sa herë që të përjetosh ndonjë të mirë prej mirësive të Tij, sa herë që të gjesh ndonjë dhunti prej dhuntive të Tij. Ti vetë je prej mirësive dhe dhuntive të Tij: “Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej Allahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngrini zërin (me lutje)”[7]

Medito se si po reagon ti karshi mirësive të Allahut të Lavdishëm, mbi dimensionin e falënderimit dhe lavdërimit tënd ndaj Tij karshi këtyre mirësive, mbi orientimin e tyre nga ana jote në bindjen ndaj Allahut të Lavdishëm dhe të Lartësuar dhe dije se Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar ka të drejtën e Tij ekskluzive karshi çdo të mire që të ka dhënë:

Në pasurinë tënde ka të drejtë i varfëri…

Në fizikun tënd ka të drejtë shëndetligu…

Në aftësitë e tua ka të drejtë i paafti…

Në diturinë tënde ka të drejtë i padituri…

Gjithkush nga njerëzit ka të drejta në çfarë ti mundesh e ata nuk munden…

Falënderoje Allahun e Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar, që të aftësoi ty për çfarë ata nuk kanë aftësi për të. Konsidero se prej falënderimit të kësaj mirësie është, që edhe ata të kenë pjesë dhe hise në këtë mirësi, si dhe të dish, se ose ajo një ditë prej ditëve do të ikë prej teje, ose ti do të ikësh prej saj.

Mikpritja jote karshi kësaj mirësie është, që ta falënderosh Allahun e Lavdishëm dhe të Lartmadhëruar për të, ashtu siç i takon ta falënderosh dhe lavdërosh, si dhe ta përdorësh atë në bindje ndaj Allahut, duke mos thënë siç tha Karuni, i cili të urtëve të popullit të tij që i thanë: “Mos u kreno aq fort, sepse Allahu nuk i do të shfrenuarit!”[8], u tha: “Më është dhënë vetëm në sajë të dijes sime!”[9]. Në fund Allahu i Lartësuar tha: “Po a nuk e di ai se Allahu shkatërroi para tij nga popujt e lashtë kë ishte edhe më i fuqishëm e më i pasur se ai, po mëkatarët kriminelë as që do të pyeten për fajet e tyre (meqë Allahu i di ato)”[10]

Robi kënaqet me mirësitë e Allahut dhe mendon për to vetëm kur i humbet apo kur është gati për t`i humbur. Sa e sa organe, gjymtyrë, aftësi dhe dhunti në tru, zemër dhe trup, dukshëm dhe fshehurazi, në shpirt dhe materie, tek uni, pasuria, familjarët dhe fëmija, kemi.

Pastaj sa prej mirësive që ke: familja, fisi, shokët, punët, pozita, lidhjet, ambiciet dhe ëndrrat, madje edhe ky univers gjigant i krijuar në formë të përshtatshme për jetën në të gjithë nevojat që jeta kërkon, saqë planetët i gjejmë gjigante me disa herë dimensionet e tokës, por i gjejmë të shkretë, thatësira të errëta, të pajetë dhe të pabanuar, i gjejmë të mos ofrojnë kushte për jetë dhe njerëzit nuk mund të jetojnë mbi to.

Ja, njeriu i cili thuhet se arriti në sipërfaqen e hënës, me fotot e kozmonautëve që u shpërndanë në agjencitë dhe kanalet e ndryshme, priten me një lloj reagimi të çuditshëm nga njerëzit, pamje që jepnin përshtypjen se i përkasin një epoke të hershme, që as ngacmon dhe as stimulon reagim.

Falënderuar qofsh o Ti, që sundon pafundësisht, sikurse mirësitë, dhuntitë dhe bamirësitë e Tua, falënderim të shumtë të dëlirë të begatuar, që i vjen për shtat mirësive të Tua. Për Ty është falënderimin sa të arrihet kënaqësia Jote, për Ty është falënderimi kur të kënaqesh dhe për Ty është falënderimi, pasi të kënaqesh.

Autor: Selman Aude

[1] – Sure Ali Imran: 8.

[2] – Sure Sad: 9.

[3] – Sure Sad: 35

[4] – Sure Nahl: 53-54.

[5] – Sure Nahl: 18.

[6] – Sure Ibrahim: 34.

[7] – Sure Nahl: 53.

[8] – Sure Kasas: 76.

[9] – Sure Kasas: 78.

[10] – Sure Kasas: 78.