
Ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, ka dorëzuar letra drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe presidentit të Këshillit të Sigurimit, duke shënuar 620 ditë nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
Në letrën e tij, Mansour thekson se rreth 500 palestinezë janë vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihmë humanitare, që kur nisi skema e furnizimeve nga Gaza Humanitarian Foundation me mbështetjen e SHBA-së – një program që ka ngjallur polemika.
Ai shtoi se Izraeli vazhdon të pengojë misionet humanitare të mbështetura nga OKB-ja në territorin e Gazës.
Mansour u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndalur luftën në Gaza dhe për të siguruar “qasje të menjëhershme, të plotë dhe të paanshme” për ndihmën humanitare. /mesazhi






