AMD zbuloi kartën grafike RX 7600 XT për gaming në 1440p

AMD krahasoi RX 7600 XT me kartën grafike 299 dollarëshe RTX 4060 të Nvidia duke treguar një diferencë të ngushtë mes tyre në 1080p dhe 1440p.

AMD prezantoi një kartë të re grafike për gaming në 1080p por që mund të luajë edhe disa tituj në 1440p. Radeon RX 7600 XT kushton 329 dollarë dhe do të jenë në shitje që prej datës 24 Janar duke ofruar një rritje performance përballë modeli ekzistues RX 7600.

Ky i fundit ishte dizajnuar posaçërisht për gaming në 1080p. Kartat grafike nën 400 dollarë të afta të luajnë në 1440p janë kërkuar masivisht nga përdoruesit.

Ndërsa RX 7600 nuk ishte dizajnuar si i tillë për shkak të memories prej 8GB, me RX 7600 XT AMD ka dyfishuar kapacitetin në 16GB RAM.

Kjo lëvizje e AMD është surprizuese duke qenë se kompania shet RX 7700 XT me 12GB RAM. Megjithatë RX 7600 XT mbetet me 32 njësitë e përpunimit, 2048 procesorët streaming dhe gjerësinë 128-bit të memories njëlloj si RX 7600.

Por AMD ka përmirësuar frekuencë bazë dhe turbo. Konsumi i energjisë është rritur gjithashtu në 190-vat krahasuar me 165-vat në RX 7600. AMD pretendon se karta grafike luan titujt si Starfield, Shadow of the Tomb Raider, Watch Dogs: Legion, Assassin’s Creed Mirage dhe Forza Horizon 5 me 60fps në 1440p.

AMD krahasoi RX 7600 XT me kartën grafike 299 dollarëshe RTX 4060 të Nvidia duke treguar një diferencë të ngushtë mes tyre në 1080p dhe 1440p. Megjithatë duhet të presim vlerësimet e plota të pavarura për të kuptuar ku qëndrojnë kartat grafike.

Ky model do të prodhohet nga Acer, ASRock, Asus, Gigabyte, PowerColor, Sapphire dhe XFX.