Ballina Lajmet Kosovë Apeli vërteton dënimet me burgim të përjetshëm për Murselin e Plavën

Apeli vërteton dënimet me burgim të përjetshëm për Murselin e Plavën

Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin e Granit Plavën si dhe 30 vite burgim për Kushtrim Kokallën për rastin e vrasjes së Lirdona Ademajt.

Lajmi është bërë i ditur nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit, ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës, si dhe pas analizimit dhe vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 të KPPK, e as në nenin 394 të KPPK, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin, ku janë paraqitur të gjitha arsyet në të cilat është bazuar gjykata e shkallës së parë, me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të akuzuarve të lartcekur.

“Sa u përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe të shkeljes së ligjit penal, kolegji gjykues ka konstatuar se këto pretendime nuk qëndrojnë. Vlerëson se rrethanat dhe faktet e vërtetuara nga shkalla e parë janë të drejta dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprave penale, për të cilat të akuzuarit edhe janë shpallur fajtorë dhe janë gjykuar, prandaj nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal në dëm të akuzuarve të lartcekur”, thuhet nga Gjykata e Apelit.