Banorët në Negev, ironi me akuzat për pagesa nga Katari
Francesca Paci, La Stampa
“Na paskan paguar nga Katari për të votuar? Ah, sikur të ishte e vërtetë!”, tallet Suad, një vajzë e re me hixhab dhe sy të lyer, teksa shëtit mes produkteve me ulje çmimesh në një dyqan të madh kozmetike në lagjen 24 të Rahatit, kryeqyteti i beduinëve në shkretëtirën e Negevit, në jug të Izraelit.
Ironia e saj është një përgjigje ndaj akuzave që shoqëruan mobilizimin e votuesve arabë. Në Rahat, qytet me rreth 80.000 banorë, partia arabe Raam e Mansour Abbasit mori plot 86 për qind të votave.
Një rezultat që pasqyron jo vetëm mbështetjen për këtë forcë politike, por edhe dëshirën e një komuniteti të lënë për dekada në margjinat e shoqërisë izraelite për të fituar ndikim politik.
Papunësia në Rahat arrin në 33 për qind, ndërsa varfëria është tri herë më e lartë se mesatarja kombëtare. Rrugët e paasfaltuara, ndërtesat e lëna pas dore dhe makinat e parkuara në rreshta të trefishtë përpara dyqaneve tregojnë kontrastin e fortë mes statusit zyrtar të qytetit dhe realitetit të përditshëm të banorëve të tij.
Ky është një tjetër realitet i votës arabe në Izrael. Në qytete si Nazareti dhe Umm al-Fahm u mobilizuan kryesisht votuesit e orientimit laik dhe nacionalist, të përfaqësuar nga Lista e Bashkuar.
Ndërsa në Rahat dominuan beduinët më konservatorë, të cilët tani kanë zgjedhur një qasje më pragmatike ndaj politikës. Ata e kishin mbështetur edhe më parë vendimin e Mansour Abbasit për t’u bërë pjesë e qeverisë së Naftali Bennettit dhe Yair Lapidit në vitin 2021.
Këtë herë, mobilizimi i palestinezëve me shtetësi izraelite ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme. Ata përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së Izraelit, dhe duke kapërcyer tradicionalisht ngurrimin për të marrë pjesë në zgjedhje, kanë siguruar 19 vende në Knesset. Për herë të parë, është kaq vendimtare pesha e tyre në përcaktimin e qeverisë së ardhshme.
Ndërsa opozita diskuton mundësinë e bashkëpunimit me partitë arabe, kryeministri Benjamin Netanyahu vazhdon t’i portretizojë ato si një “kolonë të pestë” të armiqve të Izraelit.
Por në Rahat, larg qendrave të pushtetit në Jerusalem dhe Tel Aviv, banorët presin që pesha e fituar në kutitë e votimit të përkthehet në ndryshime konkrete.
“Si ndihem? Ne kemi në arabisht një shprehje: gjysmë i kënaqur, gjysmë i shqetësuar. Kemi bërë maksimumin, por tani duhet të marrim diçka.
Votuesit tanë nuk do ta kuptonin nëse gjithë kjo përpjekje do të përfundonte pa asnjë rezultat dhe do të na çonte sërish në zgjedhje”, thotë Yousef Abu Jaffar, nënkryetar i bashkisë dhe një nga përfaqësuesit lokalë të Raam.
Ai i pret vizitorët në shtëpinë e tij të madhe, mes çajit dhe biskotave, ndërsa nipërit luajnë nëpër oborr. Por pamja e qytetit jashtë është krejt tjetër. Rahati u themelua në vitin 1972 si vendbanim i përhershëm për popullsinë beduine, tradicionalisht nomade, dhe sot gëzon statusin administrativ të qyteteve të mëdha izraelite.
Megjithatë, zhvillimi i tij ka mbetur shumë prapa. “Jetojmë në një zonë që është lënë gjithmonë pas dore, por gjatë tre viteve të fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm.
Prishja e shtëpive është bërë përditshmëri, kriminaliteti i organizuar i klaneve është jashtë kontrollit dhe ministri Itamar Ben-Gvir vjen këtu duke përsëritur se kjo tokë është e tyre.
Duket sikur shtetësia jonë nënkupton vetëm detyrime, pa na njohur asnjë të drejtë”, shpjegon Abu Jaffar. Ai nuk e fsheh kundërshtimin ndaj një marrëveshjeje me Netanyahun, të cilin e konsideron përgjegjës për shkatërrimin e marrëdhënieve mes arabëve dhe hebrenjve.
Megjithatë, shton se politika nuk mund të bëhet duke vendosur vija të kuqe të pakalueshme. Partneri i preferuar i Raam është Gadi Eisenkot, një nga figurat kryesore të opozitës. Por edhe me të, thotë Abu Jaffar, nuk do të ketë mbështetje pa kushte.
Kërkesat kryesore janë ndihma për administrimin e pushtetit vendor, përmirësimi i shërbimeve publike dhe ndalimi i shkatërrimit të shtëpive të palestinezëve.
Ai këmbëngul se më e rëndësishme sesa numri i mandateve është aftësia për të ndërtuar një strategji të përbashkët me Listën e Bashkuar. Megjithatë, mes dy forcave ekzistojnë dallime të konsiderueshme.
Raam beson te kompromisi dhe pjesëmarrja në qeverisje, ndërsa kundërshton atë që e konsideron maksimalizëm ideologjik të rivalëve të saj.
“Kur ne, si palestinezë të Izraelit, kemi thënë vetëm ‘jo, jo dhe jo’, në fund nuk kemi marrë asgjë”, argumenton Abu Jaffar.
Në rrugët e Rahatit, pritshmëritë janë të mëdha. Salim, një banor që po del nga supermarketi me bashkëshorten Fatima, thotë se Netanyahu dhe Ben-Gvir do të donin që palestinezët të largoheshin, por ai nuk ka ndërmend të braktisë vendin e tij.
“Kjo është shtëpia ime. Na kanë terrorizuar. Tani kemi frikë nga gjithçka: të bëjmë një shkelje të qarkullimit rrugor, të rinovojmë një dokument të skaduar, madje edhe të flasim me njëri-tjetrin për Gazën, ku shumë prej nesh kemi të afërm. Jemi gjithmonë në mbrojtje”, thotë ai.
Salim shpreson në një marrëveshje me Eisenkotin. Për të, rikthimi në zgjedhje do të thotë të mbetet në një gjendje pasigurie që në Rahat është shndërruar prej kohësh në një ferr të përditshëm.
Ndërkohë, gazetari Yaron London, një votues i vjetër i partisë Hadash, sot pjesë e Listës së Bashkuar, thotë se këtë herë ka zgjedhur Raam për shkak të pragmatizmit të saj.
Sipas tij, bashkëpunimi mes një drejtimi politik musliman konservator dhe figurave hebraike si ish-zyrtari i lartë i policisë Yoav Segalovitz, dëshmon se arabët dhe hebrenjtë mund të ndërtojnë marrëdhënie produktive.
Kështu, palestinezët e Izraelit janë kthyer në një nga faktorët kryesorë të betejës për pushtetin. Pyetja nuk është më nëse partitë arabe duhet të përfshihen në negociatat për qeverinë, por kush do të pranojë të bashkëpunojë me to dhe çfarë do të jenë të gatshëm të ofrojnë në këmbim të mbështetjes së tyre.
Pas zgjedhjeve, darkat tradicionale të së shtunës mund të rikthejnë përkohësisht qetësinë në familjet izraelite, por beteja politike sapo ka filluar. Dhe kësaj here, askush nuk mund të formojë një qeveri të qëndrueshme pa llogaritur votën e arabëve. \tesheshi








