Arben Vitia flet për masat e reja dhe datën e mundshme të ardhjes së vaksinave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për procesin e sigurimit të vaksinave.

Para mediave, Vitia nuk është deklaruar për një datë të mundshme se kur do të vijnë vaksinat e kontraktuara në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Ai është arsyetuar duke thënë se një informacion i tillë është krejtësisht konfidencial.

“Unë e kuptoj kreshërinë e juaj edhe të qytetarëve për data ekzakte, mirëpo ne jemi këtu për të punuar çdo minut e orë për të siguruar vaksinat, dhe për këtë ju siguroj deri në momentin e fundit. Nuk mund të jap detaje ngase komisioni ka një deklaratë nën betim”, tha ai.

Në këtë kontekst, ai foli për vaksinat që do vijnë nga programi COVAX.

“Përfitues përveç shteteve të tjera do të jetë Kosova me një sasi e cila do të vijë…. Qëndroj prapa këtyre fjalëve që një pjesë do të vie në prill, e pjesa tjetër në maj”, tha ai.

Në ndërkohë, ai është pyetur edhe për faktin se pse ministria që ai drejton, në një kohë

kur ka shumë të infektuar me COVID-19 planifikon lehtësimin e masave.

Vitia ka thënë se vendimi është marrë pas takimit me të gjitha grupet e interesit.

Sipas tij, është parësore që masat të respektohen nga të gjithë.

“Nuk është vetëm pas takimit me Asociacionin e Komunave, kam pasur takim me kryetarët e komunave dhe kam dëgjuar të gjitha shqetësimet në raport me masat të cilat kanë hyrë në fuqi. Ne kemi paralajmëruar se masat do të jenë në fuqi deri të dielën. MSH ka formuar grupet punuese me të gjitha hisedarët, pra bizneset dhe akterët tjerë në mënyrë që të gjithë të bëhemi partnerë. Sado që marrim masa, sado që mundohemi të bëjmë respektimin e këtyre masave,  duhet të jemi hisedarë në respektimin e masave. Ne duhet t’i marrim shumë seriozisht të gjitha rekomandimet e IKSHP-së dhe qeverisë, sepse kanë vetëm një qëllim, mbrojtjen e shëndetit publik”, tha ai.