Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara midis Indisë dhe Pakistanit po mban, pas disa ditësh përleshjesh të ashpra që lanë rreth 70 të vdekur. Megjithëse të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje fillestare të marrëveshjes, situata aktualisht është e qetë.
Tensionet u përshkallëzuan pas një sulmi në Pahalgam, Kashmirin e administruar nga India, më 22 prill, ku mbetën të vrarë 26 turistë. India fajësoi Pakistanin për këtë sulm dhe u përgjigj me sulme ajrore dhe raketore në territorin pakistanez, duke pretenduar se ka vrarë mbi 100 militantë. Pakistani u kundërpërgjigj me sulme ndaj 26 objekteve ushtarake indiane.
Armëpushimi u shpall të shtunën, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarit të shtetit Marco Rubio. Ndërsa Pakistani e mirëpriti ndërhyrjen amerikane dhe shprehu gatishmëri për bisedime të mëtejshme, India nuk ka komentuar për përfshirjen e SHBA-së dhe preferon zgjidhje bilaterale .
Ndërkohë, qytetarët në zonat kufitare mbeten të shqetësuar për rikthimin e dhunës, ndërsa shumë prej tyre janë ende të zhvendosur për shkak të përleshjeve të fundit. /mesazhi








