Armët serbe u përdorën kundër protestuesve në Bagdad

Autoritetet irakiane thonë se ata nuk patën asnjë rol në importimin e granatave të gazit lotsjellës të gradës ushtarake të përdorura nga forcat irakiane kundër protestuesve në tetor. Megjithatë, një investigim i BIRN tregon se granatat e prodhuara nga Serbia ishin pjesë e një marrëveshje armësh midis Beogradit dhe Bagdadit dhe iu dërguan direkt ministrisë së mbrojtjes të Irakut në vitin 2009.

Dragan Shutanovac u prit me tapet të kuq teksa zbriti nga avioni në Bagdad në vitin 2009 për të nënshkruar një marrëveshje ushtarake bashkëpunimi me Irakun në emër të qeverisë serbe, pjesë e një ringjalljeje të lidhjeve të ngushta që të dy vendet gëzonin para rrëzimit nga pushteti në vitin 2000 të Sllobodan Millosheviçit dhe pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja që rrëzoi Sadam Huseinin tre vjet më vonë.

Serbia tashmë kishte arritur një marrëveshje prej 235 milionë dollarësh për t’i shitur armë qeverisë irakiane të mbështetur nga SHBA-ja një vit më parë; marrëveshja e re propozonte thellimin akoma më tej të kësaj marrëdhënieje.

“Patëm një pritje të jashtëzakonshme, një pritje të jashtëzakonshme në çdo aspekt”, tha Shutanovac, asokohe ministri i mbrojtjes i Serbisë dhe tani një ligjvënës i opozitës. “Sfidat ishin të mëdha”, tha ai për BIRN.

E përshëndetur në Serbi si “marrëveshje e shekullit”, marrëveshja e armëve e vitit 2008 pa Serbinë të pranonte të eksportonte pistoleta, jelekë antiplumb, pajisje balistike, mortaja dhe granata ushtarake me gaz lotsjellës për forcat irakiane që përpiqeshin të mbështesin qeverinë kundër luftimeve sektare ende të ashpra në atë kohë.

Granatat M99 40 mm – shumë më të rënda sesa bombat e gazit lotsjellës të përdorura nga forcat e policisë në të gjithë botën për të kontrolluar trazirat civile – mbërritën në katër dërgesa në 2009, zbulon BIRN.

Një dekadë më vonë, ato u përdorën nga forcat qeveritare të Irakut për të shpërndarë protestuesit antiqeveritar në kryeqytetin irakian, duke pasur efekte vdekjeprurëse.

Granatat e shkallës ushtarake të prodhuara në Serbi dhe Iran ishin përgjegjëse për të paktën 20 nga më shumë se 400 vdekje të raportuara që nga shpërthimi i protestave në fillim të tetorit, duke u shpuar kafkat personave që goditën, sipas Amnesty International.

Autoritetet irakiane kanë këmbëngulur se ata nuk importuan granata vdekjeprurëse, duke fajësuar në vend të kësaj një “palë e tretë” që përpiqet të dëmtojë qeverinë dhe të shkaktojë paqëndrueshmëri.

Megjithatë, një investigim i BIRN ka zbuluar se granatat serbe ishin me të vërtetë pjesë e marrëveshjes së armëve Irak-Serbi në vitin 2008, me ministrinë e mbrojtjes së Irakut të specifikuar si përdoruesi përfundimtar.

Nëpërmjet tregimeve të dëshmitarëve okularë dhe analizave të fotografive dhe numrave të serisë, BIRN ka gjurmuar armët deri te prodhuesi kryesor i municioneve serbe Sloboda Cacak dhe rrugën që ato ndoqën në Irak nëpërmjet ndërmjetësit shtetëror serb të armëve Yugoimport-SDPR, kompania që ndërtoi selinë e Bagdadit të partisë qeverisëse Ba’ath të Huseinit dhe të paktën pesë bunkerë nëntokësor në vitet 1990 në kundërshtim me sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Brian Castner, Këshilltar i Lartë i Amnesty International i Krizave për Armët dhe Operacionet Ushtarake, tha se granatat kishin shkaktuar “lëndime të tmerrshme” që Amnesty nuk i kishte parë më parë në monitorimin e saj të protestave në të gjithë botën. Dhe Serbia mban një pjesë të fajit për këtë.

“Ata nuk mund të shesin armë dhe t’i lajnë duart dhe të thonë se tani se ajo që ndodhi nuk është aspak përgjegjësia e tyre” tha Castner për BIRN.

“Ata po i përdorin për të vrarë”

Protestat filluan më 1 tetor për shkak të papunësisë së përhapur, korrupsionit dhe shërbimeve të dobëta publike. Rreth 432 persona janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 19,000 janë plagosur, sipas raporteve të fundit.

Më 31 tetor, Amnesty zbuloi se granatat serbe po përdoreshin kundër protestuesve.

“Që nga 25 tetori, policia nuk ka ndaluar së hedhuri gaz lotsjellës dhe tymëse ndaj turmës, qoftë ajo e provokuar apo jo”, citoi grupi i të drejtave të njeriut të ketë thënë një dëshmitar okular irakian.

“Është e vazhdueshme dhe e rastësishme. Ata nuk po i përdorin ato për të shpërndarë, por po i përdorin për të vrarë. Të gjitha vdekjet në Bagdad kanë ndodhur për shkak të këtyre ciflave që u kanë hyrë nëpër trupa protestuesve. Ata nuk e mendojnë fare që në turma ka edhe familje dhe fëmijë.”

Në raste të shumta, njoftoi Amnesty, granata të gradës ushtarake të prodhuara në Serbi dhe Iran u shpuan kafkat protestuesve dhe ndonjëherë u ngecën në kokë.

Castner tha se Amnesty kishte verifikuar 20 vdekje të tilla. “Ne kemi monitoruar protesta në të gjithë botën dhe nuk kishim parë vërtet lëndime të tilla”, tha ai.

Granatat e gazit lotsjellës që zakonisht përdoren nga policia në të gjithë botën për të kontrolluar trazirat civile janë më të vogla dhe dukshëm më të lehta, tha Castner.

Llojet e identifikuara në dhunën në Bagdad, megjithatë, janë modeluar sipas granatave ofensive ushtarake të dizejnuara për luftime dhe janë shumë më të rrezikshme për protestuesit për shkak të peshës dhe konstruksionit të tyre.

Një granatë tipike policore 37 mm peshon midis 25 dhe 50 gramë dhe përbëhet nga disa copëza më të vogla që ndahen dhe përhapen në një zonë të caktuar.

Ndryshe nga këto, granatat serbe dhe iraniane 40 mm të stilit ushtarak të identifikuara në Bagdad përbëhen nga një metal më i rëndë dhe peshojnë midis pesë dhe 10 herë më shumë, duke variuar nga 220 deri në 250 gram.

“Duke qenë se granatat policore dhe ato ushtarake qëllohen me një shpejtësi të ngjashme, që do të thotë se ato udhëtojnë me të njëjtën shpejtësi, granatat që peshojnë 10 herë më shumë e godasin një protestues 10 herë më fuqishëm, duke shkaktuar lëndime të tmerrshme”, tha Castner për BIRN.

Ministria serbe e tregtisë konfirmoi për BIRN origjinën e granatave dhe tha se ato i ishin eksportuar drejtpërdrejt ministrisë irakiane të mbrojtjes në vitin 2009. BIRN nuk qe në gjendje të konstatonte sa të tilla u shitën.

Qeveria irakiane, megjithatë, tha se autoritetet irakiane nuk ishin të përfshira në importimin e armëve të tilla.

“Granatat e zbuluara në kokat dhe trupat e demonstruesve përmes ekzaminimeve dhe autopsive në departamentin e mjekësisë ligjore nuk janë importuar nga qeveria irakiane ose ndonjë palë zyrtare irakiane”, tha ministri i mbrojtjes Najah al-Shammari për faqen e lajmeve Nas.

Duke fajësuar një “palë të tretë” të paspecifikuar, al-Shammari tha se granatat “kishin hyrë në vend në një mënyrë misterioze”.

Serbia ka eksportuar të njëjtat lloje granatash, ndër të tjera, në Mal të Zi, Belgjikë, Izrael dhe Spanjë.

Nga bunkerët e Sadamit, tek armët, mortajat dhe helmetat

Granat janë vetëm një pjesë e vogël e një marrëdhënie armësh prej shumë miliarda dollarësh midis Irakut dhe Serbisë, që ekziston prej dekadash që kur Serbia ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste dhe të dy vendet ishin aleatë në Lëvizjen e Vendeve jo të Angazhuara gjatë kohës së Luftës së Ftohtë.

Gjatë viteve 1990, kur Jugosllavia e Millosheviçit ishte nën sanksionet Perëndimore, kontratat ushtarake dhe të ndërtimit në Irak ishin një litar shpëtimi, me Yugoimport-SDPR një përfituese e madhe në ndërtimin e bunkerëve dhe selive të partisë Ba’ath.

Rënia e Millosheviçit dhe Huseinit tre vjet larg nga njëri-tjetri i ndërpreu lidhjet, por ato u ringjallën shpejt nga qeveria reformiste që mori pushtetin në Serbi teksa ajo përpiqej të rindërtonte një industri dikur të lulëzuar të armëve dhe të rimbushte arkat e shtetit.

“Nuk është e panjohur që ish-Jugosllavia kishte bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Irakun, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, por edhe në fushën e ndërtimit”, tha Shutanovac. “Pas ardhjes time në postin e ministrit të mbrojtjes, këto mundësi u hapën.”

Duke rikujtuar marrëveshjen e armëve të vitit 2008, Shutanovac tha për BIRN: “Dikush e quajti atë kontrata e shekullit. Për disa, ajo ishte një kontratë epike.”

“Në fillim, mendoj se ishte mbi 238 milionë dollarë. Më vonë, ajo kontratë arriti në më shumë sesa 325 milionë dollarë.”

Në atë kohë, e përditshmja serbe Politika raportoi se marrëveshja përfshinte rreth 17,000 armë, mortaja dhe municione. Fabrikat serbe gjithashtu do të prodhonin uniforma, helmeta dhe pajisje balistike mbrojtëse për forcat irakiane, disa prej të cilëve do të stërviteshin në Serbi.

New York Times e quajti atë një “marrëveshje sekrete të Irakut” që ngrinte dyshimin për korrupsion.

“Marrëveshja u arrit në shtator pa oferta konkurruese dhe ajo anashkaloi masat mbrojtëse kundër korrupsionit, përfshirë miratimin e oficerëve të lartë të Ushtrisë së Irakut dhe një komiteti irakian për miratimin e kontratës”, raportoi gazeta.

“Ajo u negociua nga një delegacion prej 22 zyrtarësh të rangut të lartë irakianë, pa dijeninë e komandantëve amerikanë ose të shumë udhëheqësve të lartë të Irakut.”

Qeveria aktuale serbe, e udhëhequr nga Partia Progresive e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, e vazhdoi punën aty ku e la Partia Demokratike e Shutanovacit në shitjen e armëve dhe municioneve në Irak me vlerë prej dhjetëra miliona eurosh.

Ministria serbe e tregtisë tha për BIRN se përdoruesit përfundimtarë përfshinin gjithashtu Ministrinë e Energjisë në Irak dhe kompanitë Al-Ikhaa General, Second Defence dhe Security and Aviation Fair United.

Midis vitit 2009 dhe 2017, Serbia eksportoi gjithashtu armë në Irak përmes Jordanisë, Malit të Zi, Bullgarisë, SHBA-së dhe Polonisë, por vlera e këtyre eksporteve dhe qëllimi i tyre i saktë nuk dihet.

Armët serbe vërehen në zonat e luftës nëpër botë

Kjo nuk është hera e parë që një marrës i armëve serbe akuzohet për shkelje të tmerrshme të të drejtave.

Vetëm në tre vitet e fundit, armët e prodhuara nga Serbia janë vënë re në zonat e konfliktit në Afganistan, Nairobi, Kamerun, Jemen dhe Siri.

Në një sërë investigimesh, BIRN ka zbuluar një tregti armësh serbe që përfshin qarqe të fuqishme ish-oficerësh ushtarakë, biznesmenësh dhe bashkëpunëtorësh të qeverisë – madje edhe babai i ministrit të brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, Branko Stefanoviç shkoi në Arabinë Saudite si pjesë e një delegacioni që përfaqësonte ndërmjetësin privat të armëve GIM dhe ishte i përfshirë në blerjen e armëve të prodhuara nga shtet që raportohet se përfunduan në duart e luftëtarëve të Shtetit Islamik në Jemen. Qeveria serbe i ka hedhur poshtë gjetjet si të pakuptimta dhe arrestoi informatorin që nxori dokumentet.

Më 10 dhjetor, SHBA-ja njoftoi se kishte nxjerrë sanksione të reja që synonin nëntë persona të dyshuar për veprime direkte ose indirekte ose që pretendonin të vepronin për/ose në emër të tregtarit serb të armëve Slobodan Tesiç, i cili tashmë është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, Amnesty International tha për BIRN se Kameruni kishte përdorur armë të prodhuara nga Serbia në një model “shkeljesh sistematike” të të drejtave të njeriut dhe i bëri thirrje Serbisë që të ndërpresë eksportin e armëve në shtetin afrikan.

Në shtator 2017, mitralozat Coyote të prodhuar nga serbët u vunë re në Nigeri pasi u raportua se ishin marrë nga terroristët islamikë që luftonin për Boko Haram.

Në të njëjtin vit, BIRN zbuloi se si Coyotes serbe përshkuan 6,000 kilometra nga prodhuesi shtetëror Zastava në Siri, si pjesë e një dorëzimi të 205 armëve në 2015 dhe 2016 Ushtrisë së Lirë Siriane – me Serbinë, Bullgarinë, Arabinë Saudite, Turqinë dhe SHBA-në që luajtën të gjithë një rol.

Si nënshkruese e Traktatit të Tregtisë së Armëve të Kombeve të Bashkuara, Serbia duhet të refuzojë t’i shesë armë një vendi nëse beson se marrësi i fundit i atyre armëve nuk është “përdoruesi i fundit” i specifikuar nga qeveria. Abuzimi me parimin e “përdoruesit të fundit” ka lehtësuar një fluks të vazhdueshëm armësh që përfundojnë në fraksione të ndryshme militante me shumë gjasa në Jemen dhe Siri, duke nxitur luftimet në të dy vendet.

Po ashtu, nëse armë të tilla po përdoren nga policia për të vrarë protestues civilë, eksporte të tilla duhet të ndalen, tha Castner.

“Ata duhet të sigurohen që t’ia shesin gjithmonë produktet e tyre një pale përgjegjëse dhe për fat të keq në këtë rast, për shkak të nivelit të dhunës kundër protestës, forcat irakiane të sigurisë kanë treguar që nuk janë të tilla”, tha Castner për BIRN.

Shutanovac, megjithatë, tha se kjo pyetje ishte “filozofike”.

“Nëse nuk vendosen sanksione, mendoj se ne nuk kemi asnjë përgjegjësi, përvçse guxoj të them një përgjegjësi morale”, tha ai për BIRN.

“Por lind gjithmonë pyetja nëse është morale dhe etike të prodhosh armë, qoftë nëse armët vrasin njerëz apo njerëzit vrasin njerëz.”