Aro Muric jashtë formacionit të sezonit në Championship

Mbrëmë u mbyll ceremonia e më të mirëve në Sky Bet Championship të Anglisë dhe përveç çmimeve individuale, u publikua edhe formacioni i sezonit 2022/23.

Në këtë formacion, përkundër paraqitjeve tejet të mira dhe pozitës së parë që ka me skuadrën, nuk zuri vend portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muric.

Muric do ta kishte një tjetër festë me shampanjë, po të ishte në mesin e më të mirëve në Championship. Por vendin e tij në portë e zuri portieri i Coventry City, Ben Wilson.

Portieri kosovar para disa dite në Mynih të Gjermanisë shpenzoi rreth 35 mijë euro në një fest me alkool, ku bleu hiç më pak se 55 shishe shampanjë. Ai gjithashtu kishte lënë bakshish për kamarieren plotë 10 mijë euro.

24-vjeçari me ekipin e Burnleyt siguroi futjen në Premier League për sezonin e ri. Kurse gjatë këtij sezoni zhvilloi 39 ndeshje në Championship, pranoi 31 gola dhe mbajti portën e pa-prekur për 17 ndeshje.

Portieri ‘Dardan’, befasoi tifozët me lojën e tij më këmbë, derisa gjatë këtij sezoni bëri edhe pritje fantastike. Ai tani ka vlerën 6 milionë euro në sajtin e njohur ‘Transfermarkt’. Kurse me skuadrën e Burnleyt ka kontratë deri në vitin 2026.