Arrestohet i dyshuari kryesor për zjarret në Greqi

Një burrë 65-vjeçar është arrestuar si i dyshuar kryesor për shkaktimin e zjarreve në Atikën lindore, në të cilat humbën jetën 91 persona, ndërsa 25 njerëz llogariten si të zhdukur.

I arrestuari, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, mendohet se është banor i qytetit në pjesën veriore të Atikës, Penteli, citon televizioni grek “Skay”.

Sipas fqinjëve të tij, ai edhe në të kaluarën u ka vënë zjarrin  mbeturinave dhe degëve të thata, ndërsa para prokurorisë kanë dëshmuar nëntë persona të cilët e llogarisin përgjegjës për shkaktimin e zjarreve.

I dyshuari dyshohet se ka djegur bar dhe degë të thata në kodrën mbi Pentelin kur shkëndijat shpejt e kanë përfshirë edhe vegjetacionin tjetër. Për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të fuqishme të cilat fryjnë në rajon, zjarri është përhapur shpejt dhe ka marrë përmasa të mëdha.

Siç transmeton “Skaj” prejse e ka kuptuar se sa është përhapur zjarri, ndërsa veçanërisht pas rrjedhave tragjike, burri i dyshuar është munduar t’i fshehë gjurmët me dhe, ujë dhe baltë, në pikën fillestare prej ku është shkaktuar zjarri.