Asus ZenBook 14 OLED i ri vjen me procesorët e rinj Intel Core Ultra dhe 15 orë jetëgjatësi baterie

Sipas Asus, ZenBook 14 OLED (UX3405) do të dalë në shitje në fillim të 2024 për 1299 dollarë.

E enjtja ishte një ditë e madhe për debutimin e procesorëve të rinj Intel për laptopët Core Ultra dhe Asus nuk i mungoi festës me lançimin e produktit të ri ZenBook 14 OLED me procesorët “Meteor Lake.”

Një prej laptopëve më të vlerësuar vitin e kaluar, ZenBook 14 OLED (UX3405) vjen me një shasi plotësisht metalike, peshon 1.28 kilogram dhe është 5 përqind më kompakt.

Në zemër të tij është çipi Core Ultra 7-155H me mbështetje deri në 32GB RAM LPDDR5X-7467, grafika Intel Arc të integruara dhe 1TB PCIe 4.0 SSD.

Modeli bazë ka procesorin Core Ultra 5-125H, 8GB RAM dhe 512GB SSD. Megjithatë ylli i shfaqjes është çipi i ri NPU (njësia neurale e përpunimit) me procesorët e rinj Core Ultra.

Është dizajnuar për të përpunuar proceset AI dhe mbetet për tu parë sesi kjo pjesëz hardueri do të shfrytëzohet nga zhvilluesit.

Siç edhe emërtimi i laptopit sugjeron, vjen me një ekran 14-inç OLED. Modelet bazë kanë rezolucion full HD ndërsa ofrohet edhe paneli 2880×1800 16:10. Ka frekuencë rifreskimi prej 120Hz, korniza e holla Asus NanoEdge, mbulim 100 përqind DCI-P3 dhe ndriçim maksimal prej 600 nits.

Pavarësisht se ka një trashësi prej vetëm 14.9mm, Asus ka përfshirë në ZenBook 14 OLED dy porta Thunderbolt 4, një portë HDMI 2.1, një portë USB 3.2 Gen 1 (Type-A) dhe një portë audio.

Laptopi mbështet Bluetooth 5.3 dhe Wi-Fi 6E. Bateria me kapacitet prej 75 WHr sipas Asus ofron jetëgjatësi prej 15 orësh. Karikimi realizohet përmes portës Thunderbolt 4 (USB-C) me shpejtësi prej 65W.

Veçori të tjera janë uebkamerat 1080p “AiSense” me teknologjinë 3D të reduktimit të zhurmave, Asus NumberPad 2.0 në touchpad dhe altoparlantë Harman Kardon me mbështetje për Dobly Atmos.

Sipas Asus, ZenBook 14 OLED (UX3405) do të dalë në shitje në fillim të 2024 për 1299 dollarë.