Aubameyang prezantohet si futbollist i Barcelonës

Pierre-Emerick Aubameyang është futbollisti më i ri i Barcelonës, pasi zyrtarizimi i tij ka ardhur në momentet e fundit të afatit kalimtar të janarit.

Barcelona mezi arriti ta regjistroj gabonezin i cili tanimë është prezantuar në Camp Nou nga presidenti Joan Laporta.

Auba shkëputi kontratën me Arsenalin dhe si futbollist i lirë iu bashkua Barcelonës, duke u shprehur shumë i lumtur me këtë hap në karrierën e tij.

“Jam shumë i lumtur dhe falënderoj presidentin që më mori në skuadër. Mezi pres që të zbres në fushë, do të jap maksimumin. Duhet të falënderoj klubin, pasi është një nder që të luash për Barcelonën”.

“Detyra ime është të bëj gola, jam një sulmues i shpejtë. Shpresoj të ndihmoj skuadrën me golat e mi, shpresoj të shënoj shumë gola për Barçën. Ky është një klub i madh, që duhet të fitojë Ligën e Kampionëve. Do të bëjmë gjithçka që të rikthehemi në majë”, u shpreh fillimisht Auba.

Auba nuk luan që disa javë, por ka thënë se do të rikthehet së shpejti në formën e tij më të mirë.

“Ka kohë që nuk luaj, por në kokën time e di që shumë shpejt do të jem në fushë për të luajtur dhe ndihmuar skuadrën. E di që ngadalë do të rikthehem në formën optimale”.

Tutje sulmuesi gabonez deklaroi se dita e fundit e afatit kalimtar ka qenë shumë e gjatë dhe stresuese për të deri në momentin e regjistrimit.

“E hëna ka qenë një ditë shumë e gjatë. Isha me babanë në shtëpinë e tij, duke shpresuar që gjithçka të shkonte mirë. Pasdite më morën në telefon për të kryer vizitat mjekësore. Kisha pak stres, por gjithçka shkoi mirë”, tha Aubameyang.

32-vjeçari ka zgjedhur fanellën me numrin 25 te Barcelona, derisa ka disa fjalë edhe për shokun e tij Ousmane Dembele.

“Po them të vërtetën: po stërvitet shumë mirë. Si mik shpresoj që ai dhe klubi të gjejnë një zgjidhje”, tha Aubameyang.