Austria shtrëngon procedurat e azilit në aeroporte dhe zgjeron sanksionet sipas rregullave të reja të BE-së

Qeveria e Austrisë ka zbuluar masa kombëtare për të zbatuar Sistemin e ri të Përbashkët Evropian të Azilit të BE-së, duke përfshirë procedura më të gjata në aeroport dhe opsione të zgjeruara sanksionesh për azilkërkuesit, transmeton Anadolu.

Transmetuesi publik kombëtar ORF raportoi të enjten se paketa u lejon autoriteteve të mbajnë azilkërkuesit që mbërrijnë me avion në aeroportin e Vjenës-Schwechat për deri në 18 javë, duke zgjatur limitin aktual prej gjashtë javësh.

Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner, duke prezantuar masat së bashku me Sekretarin e Shtetit, Jorg Leichtfried dhe ministren e Jashtme, Beate Meinl-Reisinger, tha se reformat do t’i “privojnë kontrabandistët nga baza e tyre e biznesit”. Karner njoftoi se sipas raportit, rregullat e reja hapin rrugën për qendrat e aplikimit dhe “qendrat e daljes”, duke shtuar : “Tranzicioni i migracionit do të funksionojë vetëm nëse përfitojmë nga mundësitë e zgjeruara”.

Leichtfried deklaroi se Austria do të ndjekë “kthime të vazhdueshme”, ndërsa Meinl-Reisinger theksoi nevojën për të “organizuar dhe kontrolluar migracionin dhe për të zbatuar vazhdimisht kthimet”, duke treguar marrëveshjet e reja të migracionit që mundësojnë ripranimet.

Sipas planit, të gjitha procedurat e azilit në aeroport do të centralizohen në Vjenë, dhe refugjatët e njohur do të duhet të nënshkruajnë një “Kartë Vlerash” të detyrueshme, thuhet në raport.

“Në të ardhmen, të gjithë azilkërkuesit do të nënshkruajnë ‘Kartën e Vlerave’ si të ashtuquajturat rregulla shtëpie, të cilat kanë të bëjnë me njohjen e vlerave themelore të republikës sonë, demokracisë sonë, shtetit tonë kushtetues”, tha Leichtfried dhe paralajmëroi se sanksionet janë të mundshme për mosrespektim.

Qeveria gjithashtu planifikon të prezantojë opsione shtesë sanksionesh brenda kujdesit bazë duke përcaktuar vepra të reja penale që do të lejojnë vendosjen e gjobave në rastet e sjelljes së keqe, tha Karner kur përshkroi zbatimin kombëtar të rregullave të BE-së.

Paketa gjithashtu zgjeron mbledhjen e të dhënave biometrike dhe ul moshën për regjistrim nga 14 në gjashtë vjeç.

Partitë e opozitës kritikuan planet. Sigrid Maurer e të Gjelbërve tha se masat “qartazi bien në kategorinë e politikës së shfaqjeve”.