Një komision palestinez ka akuzuar autoritetet e burgjeve izraelite se po ua pamundësojnë të ndaluarve palestinezë agjërimin “në kohën e duhur” gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar të shtunën mbrëma, Komisioni Palestinez për Çështjet e të Burgosurve tha se autoritetet në burgun Ofer, në qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor, refuzojnë t’i njoftojnë të burgosurit për kohët e namazeve të sabahut dhe akshamit, në mënyrë që ata të mund ta fillojnë dhe ta ndërpresin agjërimin.
“Të burgosurit e kalojnë Ramazanin pa syfyr, ndërsa iftari shndërrohet në një kalvar të gjatë”, tha Khaled Mahajneh, avokat i komisionit, për radion zyrtare “Zëri i Palestinës”.
Ai tha se të burgosurit palestinezë në burgun Gilboa, në veri të Izraelit, nuk janë njoftuar për fillimin e muajit të Ramazanit. Sipas tij, një nga të burgosurit e ka mësuar fillimin e Ramazanit derisa ishte duke marrë pjesë në një seancë gjyqësore izraelite.
“Për më shumë se dy vjet, të burgosurit palestinezë detyrohen të ushqehen vetëm me mbetje ushqimore për iftar”, tha Mahajneh.
“Pushtimi po përpiqet t’ua fshijë të burgosurve palestinezë gëzimin e festave fetare dhe me qëllim e bën gëzimin e familjeve të tyre të paplotë dhe të dhimbshëm, për shkak të abuzimeve dhe torturave ndaj bijve të tyre pas hekurave”, shtoi ai.
Sipas organizatave palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut, aktualisht në burgjet izraelite mbahen më shumë se 9.300 palestinezë, përfshirë 350 fëmijë, të cilët përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore që kanë çuar në vdekjen e dhjetëra personave.






