Autostradat për vite me radhë po e “gëlltitin” buxhetin e Kosovës

Rrugët magjistrale e kryesisht autostradat janë bërë gllabërueset më të mëdha të buxhetit të shtetit, duke i “gëlltitur” shumicën e mjeteve të ndara për investime kapitale.

Orientimi i mjeteve në infrastrukturë, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk ka gjeneruar vende të reja pune, prandaj Qeveria Haradinaj, sipas tyre, duhet t’ua ndërroj destinacionin mjeteve buxhetore.

Investime të shumta në infrastrukturë rrugore janë bërë për ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera.

Tani në kohën kur autoritetet e vendit do të jenë në përpilim të projekt -buxhetit për vitin 2018, përfaqësues të bizneseve japin vlerësimet e tyre për orientimin e këtyre mjeteve.

Janë mbi 2 miliardë euro para që janë parashikuar t’i ketë buxheti i Kosovës për vitin 2018.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat.

“Kosova i ka disa objektiva, në të cilat duhet të orientohet siç janë rruga integruese, edukimi, ekonomia, ambientalizmi.

Në këtë drejtim duhet të evitojnë investimet në infrastrukturë, duhet të mbështet sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në veçanti të jemi të orientuar në sektorin prodhues.

Por, një objektiv i tillë nuk mund të arrihet nëse nuk kemi edukim dhe fuqi punëtore të kualifikuar”, thotë Gërxhaliu.

Autoritetet e Kosovës patën deklaruar se me buxhetin e vitit 2017, do t’i japin impulsin thuajse përfundimtar nisjes dhe përmbylljes së infrastrukturës rrugore dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet përveç fushave tjera, edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë.

Investimet në sistemin arsimor nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksohet si një nga orientimet më të domosdoshme që duhet t’i bëhet buxhetit.

“Ajo që është e rëndësishme, që mjetet e buxhetit të Kosovës të orientohen në cilësinë e arsimit, kjo kërkesë është jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por edhe vetë bizneseve, të cilat vuajnë nga mospërshtatja e ofertës me kërkesën në tregun e punës.

Pra, të investohet jo vetëm në infrastrukturën fizike shkollore, por në edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit nga nivelet më të ulëta të arsimit deri tek institucionet shkollore të nivelit të lartë”, thotë Zeka.

Megjithatë, Zeka shton se gjithsesi se është e nevojshme që të vazhdohen projekte e nisura infrastrukturore nga qeveritë e kaluara, pasi që, siç thotë ai, “infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.

Në buxhetin e këtij viti, top-prioriteti i Qeverisë së Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore ka qenë ndërtimi i autostradave dhe asfaltimi i rrugëve.

Nga 2 miliardë euro të planifikuara, 700 milionë euro ishin ndarë për investime kapitale, që ishte rreth 50 për qind më shumë se që ka pasur në vitin 2016.

Derisa, sa i përket buxhetit të Kosovës për vitin 2018, ende është në diskutim e sipër në kabinetin qeveritar, pastaj pritet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës./Mesazhi/