Babai i dhuron mushkërinë djalit 5 vjeçar, 100 persona nga personeli mjekësor morën pjesë në operacion

Një histori sa frymëzuese aq edhe emocionuese e një familje shqiptare në Itali, ku babai i ka dhuruar djalit të tij 5-vjeçar një pjesë të mushkërisë.

Andueli është një punëtor 34-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili prej pesë vitesh jeton në Italinë qendrore së bashku me gruan e tij Ornela, 35 vjeç dhe djalin e tyre të vetëm, 5 vjeç, i cili vuan nga talasemia dhe të cilit i është bërë transplanti i palcës.

Mediat raportojnë se në një operacion shumë të vështirë, të ndodhur për herë të parë në Itali, i cili zgjati 11 orë dhe me 100 personel mjekësor më 17 janar burri i dhuroi një pjesë të mushkërive të tij fëmijës, i cili në spital u quajt Mario, për shkak të pasionit të tij për lojën e famshëm “Super Mario”.

Pas këtij operacioni i mituri do të bëjë një jetë normale, ashtu si edhe babai i tij i cili duhet të bëjë një jetë më sportive.

Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Andueli tha se nuk e mendoi dy herë, pasi bëhej fjalë për të shpëtuar djalin e tij.

“Ai ishte i sëmurë për dy vjet, mendova se transplanti i palcës kockore që kisha bërë tashmë mund ta zgjidhte problemin, por nuk e bëri. Në dy vite të vijnë në mendje shumë gjëra dhe mendon se nuk do ta zgjidhësh dot kurrë problemin. Në vend të kësaj, falë Zotit dhe falë mjekëve gjithçka shkoi mirë, tani ai mund të shkojë në kopsht, të luajë me fëmijët e tjerë. Ai nuk rri një moment i qetë, ha pak dhe luan shumë. Për mua nuk ka asgjë më të bukur për të parë, është e mrekullueshme”.