Bajrami jep detaje për mësimin online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka dhënë detaje për mbajtjen e mësimit në distancë.

Për shkak të situatës së krijuar në vend me koronavirus, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nga nesër fillon së zbatuari procesin mësimor online.

Ministrja Hykmete Bajrami tha në një konferencë për media se nesër fillon mësimi në distancë, nga klasa 1 deri 5 dhe se sipas saj, mësimi në distancë do të fillojë nga 23 marsi.

“Që nga nesër fillon mësimi në distancë, fillimisht në gjuhë shqipe dhe matematikë, për klasat 1 deri 5, mësim ky i cili do të transmetohet në RTK1 dhe RTK4. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar në dy platforma në njërën do t’i vëmë në disponim të gjitha xhirimet, të cilat fillimisht do të transmetohen në RTK dhe do të jenë të disponueshme për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit gjatë gjithë kohës. Për adresa do t’ju njoftojmë sapo t’i kemi funksionale këto platforma dhe me një platformë tjetër do të vëmë në disponim të gjitha përmbajtjet e tjer a si mësim alternativ, të ofruar nga operatorë privatë në gjuhë të ndryshme”, tha Bajrami.

Kosova sot ka shënuar rastin e parë fatal me koronavirus, derisa janë gjithsej 31 raste të konfirmuara deri më tash me të prekur nga kjo sëmundje e rrezikshme, ndërkohë që pandemia tashmë ka përfshirë të gjitha kontinente në botë, me përjashtim të Antarktikut.