Ballkani debuton me barazim në Champions

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka debutuar të martën mbrëma në Ligën e Kampionëve. Por debutimi nuk ishte ashtu si synohej. Ndonëse te Ballkani kishin festuar pasi kuptuan se në raundin e parë kualifikues të Championsit do të luanin me Zhalgirisin e Lituanisë, suharekasit nuk ia dolën të shënojnë fitore. Të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Ballkani luajti 1:1 me kampionin lituan.

Kështu vendimtare do të jetë ndeshja e kthimit që luhet në Vilnius të Lituanisë më 12 korrik.

Fillimi i ndeshjes dukej shumë premtues për Ballkanin, që për herë të parë ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në futboll. Skuadra e Ilir Dajës nisi vrullshëm dhe rreshtoi rastet. Topi përfundoi në rrjetën e portës së Zhalgirisit në minutën e 15-të. Realizator për 1:0 ishte Nazmi Gripshi. Ai shënoi me gjuajtje nga distanca.

Ballkani rrezikoi edhe më pas, por entuziazmi u zbeh në minutën e 25-të. Pas një goditje nga këndi, mbrojtja e Ballkanit nuk ishte e vendosur mirë. Oliver Buff u shkëput më lartë dhe goditi saktë me kokë për rezultatin 1:1.

Shifrat më nuk ndryshuan, ndonëse Ballkani kishte rastet e tij. Kampioni kosovar ka krijuar plot 15 raste për gol. Kishte pesë goditje në kornizë të portës e katër goditje të pasakta. Ndërkohë Zhalgirisi rrezikoi vetëm katër herë, por nga “Fadil Vokrri” u largua i pamposhtur.