‘Ballkani i Hapur’, pjesa ruse e gadishullit tonë?

Kim Mehmeti

Për fuqitë e mëdha, apo për ‘perandoritë’ e sotme, Ballkani kurrë nuk ka qenë dhe nuk është i rëndësishëm shkaku i betejave dhe mbretërive të dikurshme, por shkaku i luftërave të ardhme dhe sunduesve të nesërm të botës.

Andaj, nga ky këndvështrim duhet vlerësuar edhe projektet e sotëm lidhur me gadishullin tonë, përfshi edhe projektin serb për ‘Ballkanin e Hapur’. Pra nga ky këndvështrim duhet parë këtë projekt të Serbisë, e cila, si dorë e vetme e zgjatur e Rusisë në këto hapësira, tenton që Moskës t’ia mundësojë ta merr ‘pjesën’ e vet të Ballkanit.

Dhe sot, kur si kurdoherë deri më tani, ne të vegjlit jemi top me të cilin lozin lojtarët e mëdhenj, është naive të besosh se mund të ndikojmë në lojën e madhe të kësaj bote. Njësoj siç është naive të besosh se të mëdhenjtë bien e zgjohen nga gjumi me brengën se ç’halle na mundojnë neve shqiptarëve.

Prandaj duhet të bëjmë çmos që të kemi marrëdhënie sa më të mira edhe me fqinjët tanë, por duke mos harruar kurrë se nëse nuk mbrohesh vetë, askush s’mund të të mbrojë nga komshiu që i rritë fëmijët me antishqiptari dhe i cili, sillet si ajo prostituta që ka të dashurin e shpirtit – Rusinë, klientin që ia mbron dinjitetin – BE-në dhe, myshteriun që e paguan mirë – Kinën.

Pra ne shqiptarët duhet të bëjmë çmos që të dallojmë mirënjohjen ndaj atyre që e ndihmuan dhe që e ndihmojnë shqiptarinë, nga inferioriteti dhe naiviteti ynë. Me çka edhe do ia dalim ta kuptojmë se të ardhmen tonë asgjë s’mund ta dëmtojë aq sa heshtja e atyre që duhet ta thonë të vërtetën, dëshpërimi rinorë dhe varfëria e popullit.

Po pra, shpesh ka ndodhur që projektet për Ballkanin të kenë pasur edhe nënshkrimin e burrështetasve ballkanas, pore ato të jenë hartuar nëpër qendra larg nga këto hapësira. Dhe projektet e tillë të kenë shënuar si ‘vdekjen’ e burrështetasve të këtushëm naiv po ashtu edhe forcimin e ‘perandorëve’ që ia kanë dalë të marrin pjesën e vet të Ballkanit.
Andaj edhe mund të thuhet se shqiptarët e sotëm që e përkrahin ‘Ballkanin e Hapur’, nuk kanë pse të brengosen për të ardhmen e tyre politike, sepse nuk kanë të ardhme. Siç mund të thuhet se në njëfarë mënyre, ata e kanë shitur ‘varrimin’ e vetë politikë dhe, harxhimet për ato ‘varrime’, do i mbulojë Rusia.

Nga: Kim Mehmeti