Koncepti i sadakasë rrjedhëse (sadaka xharije) ka të bëjë me dhënien e sinqertë për hir të Allahut, pa kërkuar asnjë shpërblim apo përfitim personal, duke shpresuar vetëm në shpërblimin e Allahut të Madhëruar.
Kjo lloj bamirësie nuk është vetëm një akt i momentit, por një vepër që ndërtohet mbi vizion, planifikim dhe largpamësi. Sadakaja rrjedhëse synon të krijojë dobi afatgjatë, duke ndikuar jo vetëm tek individët, por edhe në të ardhmen e shoqërisë.
Vlera e saj dëshmohet qartë në hadithin e njohur të Pejgamberit ﷺ:
“Kur vdes njeriu, i ndërpriten veprat e tij, përveç tre gjërave: sadakasë rrjedhëse, dijes nga e cila përfitohet, dhe fëmijës së mirë që lutet për të.”
(Muslim)
Ky hadith tregon se sadakaja rrjedhëse është prej atyre veprave që nuk mbarojnë me jetën e njeriut, por vazhdojnë të japin fryte edhe pasi ai largohet nga kjo botë.
Pse sadakaja rrjedhëse quhet bamirësi me vizion?
Sepse ajo nuk ndihmon vetëm për një ditë, por krijon sistem dobie. Ndihma e zakonshme e lehtëson një nevojë momentale, ndërsa sadakaja rrjedhëse krijon mundësi që vazhdojnë të prodhojnë mirësi për vite dhe breza të tërë.
Në këtë kuptim, ajo është një formë e bamirësisë që ndërton shoqëri, sepse mbështet:
1. dijen dhe edukimin
2. shëndetin dhe mirëqenien
3. sigurinë sociale
4. zhvillimin ekonomik
5. solidaritetin dhe stabilitetin
Shembuj klasikë të sadakasë rrjedhëse:
– shkollimi i një studenti ose financimi i edukimit të tij
– ndërtimi i një shkolle, biblioteke apo qendre edukative
– pjesëmarrja në ndërtimin e një xhamie
– ndërtimi i një spitali, ambulante ose qendre mjekësore
– hapja e një rruge, ure ose shërbimi publik
– hapja e një pusi uji ose furnizimi i zonave të varfra me ujë të pijshëm
– mbështetja e jetimëve dhe familjeve në nevojë përmes projekteve të qëndrueshme
Të gjitha këto janë vepra që shërbejnë si “burim i përhershëm mirësie”.
Sadakaja rrjedhëse është një nga format më të larta të bamirësisë, sepse ajo është bamirësi që nuk vdes. Ajo ndërton të ardhmen, forcon shoqërinë dhe mbetet si trashëgimi e mirë e njeriut.
Prandaj, besimtari i mençur nuk synon vetëm të japë, por synon të japë në mënyrë që mirësia të vazhdojë, të rritet dhe të shndërrohet në dobi të përhershme për njerëzit dhe në shpërblim të vazhdueshëm në ahiret.
Hoxhë Halil Avdulli








