Ballina Sport Futboll Barcelona “manita” Valencias

Barcelona “manita” Valencias

Barcelona ka shënuar fitore 5:0 në stadiumin “Mestalla” në udhëtim te Valencia, në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Mbretit. Me fitoren e thellë të enjten mbrëma, Barça është bërë skuadra e fundit gjysmëfinaliste e kësaj gare.

Skuadra nga Katalunja u është bashkuar në fazën e katër skuadrave më të mira Atletico Madridit, Real Madridit dhe Real Sociedadit që më herët të enjten e eliminoi Osasunan pas fitores 2:0.

Barcelona çështjen e fituesit e mbylli që në pjesën e parë kur shënoi katër gola, ndërsa Ferran Torres realizoi “hat-trick”. Serinë e golave, sulmuesi 24-vjeçar e hapi në minutën e tretë. Më pas shënoi për 2:0 në minutën e 17-të. Golin e tretë në minutën e 23-të e realizoi mesfushori 21-vjeçar, Fermin Lopez, ndërsa shtatë minuta më vonë, Torres e kompletoi tregolëshin. Në pjesën e dytë gol shënoi edhe talenti 17-vjeçar, Lamine Yamal, pas afro një ore lojë.

Barcelona ka vazhduar edhe ecurinë e rezultateve pozitive. Nuk di për humbje në dhjetë ndeshjet e fundit, me tetë fitore e dy barazime.