Barcelona mund të përballet me Prishtinën 01 në “Pallatin e Rinisë

Shorti për “Elite Round” të Ligës së Kampionëve në futsall do të tërhiqet të enjten nga ora 14:00 në Nyon të Zvicrës dhe Barcelona tashmë e di se njërin prej kundërshtarëve të grupit do ta ketë Prishtinën ose Rigën e Letonisë. Kështu ka njoftuar klubi spanjoll të hënën.

“Barcelona do të duhet të udhëtojë sigurt ose në Letoni ose Kosovë për t’u përballur me Rigën ose Prishtinën 01, dy skuadrat e tjera që presin turneun e raundit elit. Tre rivalët më të fortë me të cilët mund të përballet Barça janë nga vazoja e dytë”, shkruan në njoftimin e Barcelonës.

Raundi elit përbëhet nga katër grupe me nga katër skuadra, ndërsa ndeshjet luhen nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor. Caktohet nikoqiri i secilit grup dhe vetëm vendi i parë kalon në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Për Prishtinën 01 është debutim në Ligën e Kampionëve. Me Barcelonën më herët është përballur Mabetex Prishtina. Mabetex Prishtina në parakualifikime e kishte kaluar Tiranën, ndërsa ishte mposhtur nga Barcelona në raundin e 32 skuadrave më të mira evropiane në edicionin 2020/21.