Barcelona nis epokën post-Messi duke fituar miqësoren ndaj Juventusit

Barcelona luajti të dielën ndeshjen e parë pa Lionel Messin, i cili u largua nga klubi këtë fundjavë.

Përballja e parë pa argjentinasin u luajt me Juventusin në një ndeshje miqësore, e cila u fitua 2-0 nga katalanasit.

Sergio Busquets ishte kapiteni që drejtoi ekipin vetëm pak orë pas fjalimit të lamtumirës së Messit. Gjatë kësaj ndeshjeje luajti 15 minuta edhe sulmuesi i përfaqësueses shqiptare të futbollit Rey Manaj.
Tifozët e Barcelonës brohoritën në tribuna emrin e Messit. Para nisjes së ndeshjes trajneri Ronald Koeman dhe kapiteni Busquets mbajtën një fjalim të shkurtër për largimin e 34-vjeçarit.

“Pavarësisht largimit të Leo Messit, ne jemi shumë të emocionuar për këtë sezon të ri me skuadrën që kemi ndërtuar, përveç të rinjve që vijnë, të cilët janë e ardhmja e këtij klubi të madh,” – tha Koeman.

“Dua të them diçka të veçantë për Leon. Faleminderit, Leo që e çove Barcelonën në krye, që bëre histori duke qenë lojtari më i mirë në botë dhe duke vendosur shumë rekorde individuale dhe në ekip. Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. Do të na mungojë shumë dhe shpresojmë më të mirën për ty. Faleminderit, përjetësisht,” – u shpreh Busquets.

Edhe tifozët shprehën keqardhjen që Messi nuk do të mbajë më fanellën e Barcelonës

Gazeta franceze L’Equipe ka raportuar se argjentinasi do të udhëtojë në Paris për të kryer sot testet mjekësor dhe për të nënshkruar marrëveshje me klubin Paris Saint-Germain në pronësi të Katar Sports Investment.

Gazeta spanjolle Marca raportoi se PSG i dërgoi zyrtarisht ofertën Messit të dielën në mëngjes, pikërisht kur argjentinasi mbajti konferencën e lamtumirës. Por Messi nuk e konfirmoi që ai do të bashkohej me parisienët, e shtoi se planet e tij ishin të vazhdonte të luante sa më gjatë që të ishte e mundur. /euronews