Basha: koha për zgjedhje të parakohshme

Kreu i opozitës Lulzim Basha kërkoi shkuarjen drejt zgjedhjeve të parakohshme, referuar asaj çfarë ndodhi në fqinjin, Maqedoninë Veriore, pas “Jo”-së së negociatave.

“Të mbahen sa më parë zgjedhjet e parakohshme. Është koha për të marrë vendimet e duhura. Është koha që edhe pala tjetër të kuptojë se është në përplasje interesash me shqiptarët. PS të reflektojë sa nuk është vonë. Të jeni të sigurt se durimit të njerëzve po i vjen fundi. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci gjithëpërfshirëse me institucione që i takojnë gjithë shqiptarëve. Shqipëria ka humbur 4 herë rrugën drejt Europës dhe hera e 5 do të ishte fatale. Rruga përpara janë zgjedhjet e parakohshme që shqiptarët të mos ikin nga vendi. Nëse ne e hedhim këtë hap, do të prodhojmë shpresë për çdo shqiptar”, tha Basha.

Për Bashën, Shkupi u ndëshkua nga Tirana, e megjithatë shkoi në zgjedhje të parakohshme.

“Maqedonia e Veriut u bë viktimë për shkak të problemeve të Shqipërisë, e megjithatë ndërmori hapin normal për t’i kthyer mandatin qytetarëve”, theksoi Basha.