Bashkimi Ekonomik i Shqiptarëve

Lulzim Beqiri

Bashkimi ekonomik nënkupton ndikim të të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësimin të situatës ekonomike, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë, pa harruar edhe Luginën e Preshevës,shqiptarët në Malin e Zi dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e Çamëri, pastaj duke ofruar alternativa për mërgatën shqiptare e cila përbëhet prej më shumë se 4 milionë shqiptarëve. Andaj duhet shfrytëzuar kapacitetet e tyre, sepse ata janë treguar investitor seriozë në vendet ku jetojnë.

Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë

Bashkimi ekonomik i shqiptarëve është domosdoshmëri e kohës. Duke qenë një popull me kulturë e tradita të njëjta, me plane strategjike të përbashkëta, mjafton bashkimi i kapitaleve të tyre që ta mbizotërojnë tregun rajonal, të jenë faktor kyç në ekonominë e vendeve tona e të Bashkimit Europian, ekonomi e cila përbëhet prej një tregu mbi 500 milionë konsumatorësh. Kriza me pandeminë, pastaj agresioni rus në Ukrainë dhe brishtësia politike në shumë vende të botës tregon qartë se shqiptarët, kudo që janë, duhet të bashkohen në sofrën e përbashkët dhe t’i japin orientimin e duhur zhvillimit të popullatës së tyre, duke prodhuar produkte cilësore e konkurruese me prodhimet e vendeve të regjionit.

Të jesh patriot në ekonomi do të thotë të kontribuosh në nxitjen e prodhimit vendor, të stimulosh kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime, të inkurajosh dhe të ndikosh në rritjen e eksporteve të cilat janë në nivel shumë të ulët në krahasim me importet, sidomos ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, duke i bërë kështu mallrat tona më konkurruese. Këtë duhet ta bëjnë para së gjithash qeveritë e vendeve shqipfolëse, pastaj çdo sipërmarrës dhe qytetar i përgjegjshëm i vendeve tona.

Jemi dëshmitar se qeveritë tona kanë filluar hapat e parë të mbështetjes për eksportuesit vendorë, duke i stimuluar me pako ekonomike të cilat ndihmojnë dukshëm në rritjen e cilësisë, shtimin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe qukanë për synim depërtimin në tregje të Bashkimit Europian e më gjerë.

Erdhi dita që patriotizmi i kënduar ndër vite, se “bashkimi kombëtar është detyrë për ne…”, të jetësohet në një parabashkim, e që unë dua ta quaj bashkimi ekonomik është detyrë për ne. Prandaj si ekonomist u bëj thirrje politikëbërësve që të punojnë në këtë drejtim. Nuk mjaftojnë vetëm mbledhjet e përbashkëta të stolisura me dekorime patriotike të qeverive tona, me fjalime të bukura e tërheqëse, me qilima e me eskorta, por duhet të vihen gjërat në praktikë, sepse jemi 20 vjet prapa.

Bashkimi ekonomik nënkupton ndikim të të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësimin të situatës ekonomike, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë, pa harruar edhe Luginën e Preshevës,shqiptarët në Malin e Zi dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e Çamëri, pastaj duke ofruar alternativa për mërgatën shqiptare e cila përbëhet prej më shumë se 4 milionë shqiptarëve. Andaj duhet shfrytëzuar kapacitetet e tyre, sepse ata janë treguar investitor seriozë në vendet ku jetojnë. Sa herë ka qenë nevoja, diaspora ka qenë në krye të detyrës: kur u kërkua për mbështetje për arsim dhe mbajtje të qeverisë së Kosovës gjatë okupimit, diaspora ishte në krye të detyrës; pastaj erdhi mbështetja për UÇK-në, ndërsa tash jam i bindur se nëse i ofrojmë alternativë, ata do jenë prapë në ballë të mbështetjes së çështjes kombëtare.

Bashkatdhetarët e Kosovës janë faktori kyç i zhvillimit ekonomik. Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë kuptojmë se vetëm në vitit 2021 diaspora jonë e mrekullueshme ka dërguar 1.44 miliardë euro në shtetin e tyre. Prandaj duhet hartuar politika strategjike, që këto investime të orientohen në zhvillim ekonomik e jo vetëm në konsum. Që nga përfundimi i luftës së Kosovës diaspora ka dërguar më shumë se 30 miliardë euro në vendin e tyre, duke kontribuar në zhvillim e mirëqenie sociale.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së, e cila aktualisht përbehet prej 27 shteteve, vetëm në muajin mars 2022 arritën në 25.2 milionë euro, që shprehur në përqindje janë 28.5 % e eksporteve të përgjithshme. Pra, kishte një rritje mbi 27.2 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE për këtë periudhë janë Gjermania 7.2 për qind, Italia (5.5 %), Austria (3.5 %), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) në muajin mars 2022 janë mbi 205.4 milionë euro ose 41.6 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë vijnë nga Gjermania (10.6 për qind), pastaj Greqia (4.8 për qind), Italia (4.5 për qind), etj.

Në muajin mars 2022 eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milionë euro ose 38.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14.1 për qind), Shqipëria (11.0 për qind), Serbia (7.7), Mali i Zi (4.5 për qind).

 

Qarkullimi i mallrave në tregtinë e jashtme 01/2020-03/2022( mijë euro).

Periudha Eksportet (FOB) Importet (CIF)
1 2 3
01-2020 28.939 221.102
02-2020 64.834 484.476
03-2020 96.997 736.545
04-2020 129.680 930.528
05-2020 168.446 1.169.606
06-2020 213.049 1.460.416
07-2020 255.685 1.766.736
08-2020 290.002 2.030.046
09-2020 331.728 2.317.340
10-2020 382.362 2.635.025
11-2020 428.160 2.940.767
12-2020 474.884 3.296.635
01-2021 42.564 235.838
02-2021 90.973 537.548
03-2021 152.780 920.070
04-2021 213.887 1.304.610
05-2021 271.718 1.670.663
06-2021 344.632 2.063.958
07-2021 406.956 2.494.045
08-2021 471.948 2.911.640
09-2021 541.275 3.332.309
10-2021 613.959 3.760.854
11 2021 684.657 4.192.695
12-2021 749.721 4.652.751
01-2022 64.220 338.114
02-2022 129.476 752.885
03-2022 218.076 1.246.801

Burimi ASK

Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milionë euro ose 18.9 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5 për qind), Shqipëria (5.8 për qind), Maqedonia e Veriut (5.3 për qind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milionë euro ose 32.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.3 për qind) dhe Zvicra (6.7 për qind).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195.2 milionë euro gjatë kësaj periudhe ose 39.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.8 për qind) dhe Kina 10.5 për qind.

Sipas INSTAT-it, në mars 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 48 mld lekë, duke u rritur me 50,4 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 28,0 për qind (në shkurt 2022).

Importet e mallrave, sipas statistikave, arritën vlerën 84 mld lekë, duke u rritur me 29,7 për qind, në krahasim me një vit më parë kur ishin 21,7 për qind (në krahasim me muajin shkurt 2022). Deficiti tregtar i këtij muaji është 36 mld lekë, duke u rritur me 9,7 për qind, krahasuar me marsin e vitit 2021 dhe me 14,4 për qind në krahasim me shkurtin e vitit 2022.

Në muajin mars 2022 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me mars 2021 janë: Italia (67,1 për qind), Kosova (25,2 për qind) dhe SHBA (9 herë). Ndërkaq vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Greqia (6,0 për qind) dhe Spanja (44,6 për qind). Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (54,5 për qind), Kosova (52,0 për qind) dhe Gjermania (123,3 për qind). Ndërkaq vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja (66,8 për qind) dhe Turqia (19,7 për qind).

Burimi: INSTAT

Në muajin Mars 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Mars 2021 janë: Italia (0,8 për qind), Turqia (53,5 për qind) dhe Greqia (29,5 për qind). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: SHBA (9,5 për qind), Kroaci (22,0 për qind) dhe Zvicër (19,0 për qind). Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (12,7 për qind), Turqia (52,7 për qind) dhe Kina (9,1 për qind). Vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (20,2 për qind) dhe Zvicra (29,4 për qind).

Tregtia e jashtme e mallrave sipas vendeve partnere (milionë lekë), Mars/2022

Burimi: Instat

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,8 për qind të të gjithë tregtisë. Në mars të vitit 2022 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,3 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,2 për qind të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtar janë: Italia (30,4 për qind), Turqia (9,0 për qind), Greqia (6,7 për qind) dhe Kina (6,5 për qind). Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së në tremujorin 2022 zënë 60,9 për qind të gjithë tregtisë.

Në periudhën shkurt-mars 2022 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,0 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,0 për qind të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,8 për qind), Turqia (8,3 për qind), Gjermania (7,0 për qind) dhe Greqia (6,6 për qind).

Në muajin shkurt 2022, eksportet e Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut ishin rreth 13.4 për qind, ndërkaq importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2022 arritën në 68.0 milionë euro, konkretisht me Maqedoninë (4.9 për qind), thuhet në raportin e ASK-së për muajin shkurt.

Duke i analizuar statistikat e mësipërme, Serbia ende mbetet shteti i cili eksporton dukshëm mallra më shumë në Kosovë sesa shteti ëmë, ndonëse Serbia i ka shkaktuar dëme marramendëse ekonomike e njerëzore Kosovës. Ne prapë po blejmë nga ata. Ata kanë vrarë e masakruar mbi 12 mijë civil të pafajshëm, kanë dhunuar mbi 20 mijë gra e vajza, kanë djegur më shumë se 100 mijë shtëpi, e kanë grabitur fondin pensional e çka jo tjetër. Prandaj është vërtet shqetësuese për mua pushtimi i tregut kosovar nga produktet serbe, kjo në kohën që Republika e Serbisë, me klasën politike që e ka në pushtet, ende vazhdon të konsiderojë Kosovën pjesë të saj, madje e ka edhe në Kushtetutën e vet, ka një diplomaci të tërë kundër Republikës së Kosovës, nuk ka fushë që nuk është duke e dëmtuar Kosovën, ndërsa ne ua pimë rakinë e ftoit dhe ua reklamojmë produktet.

Janë mbi 444.9 milionë euro mallra që Kosova ka importuar nga Serbia gjatë vitit 2021. Kjo përfundimisht duhet të ndryshojë, ndërsa ndryshimi mund të bëhet me bashkimin e shqiptarëve me kapitaline tyre. Prandaj është e pashmangshme, sipas meje, një ballafaqim i ri me shtetin kriminal serb, i cili nuk lë gurë pa lëvizur për të penguar shtetin e Kosovës dhe kjo po pranohet në heshtje nga liderë shqiptarë të mbarë botës shqiptare. Andaj ky aktualitet konfliktesh e ngrirjesh të raporteve ndërmjet shqiptarëve duhet ndryshuar njëherë e përgjithmonë.

Republika e Kosovës duhet t’i prijë një iniciative e cila do të mbledhë një grup të madh të investitorëve me përkatësi shqiptare, duke u koordinuar gjithmonë me qeveritë e vendeve ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë që të ndalet makineria ekonomike serbe, e cila e ka pushtuar Republikën tonë. Unë mendoj se ka produkte shumë cilësore nga Kosova dhe Shqipëria duke mos e anashkaluar edhe Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut. Andaj edhe njëherë ftesë për politikanët tanë – mos na e ndani atdheun, bile ekonomikisht! Të dashur politikanë, na ndihmoni t’i zhvillojmë vendet tona. /shenja