BE: Hiqeni taksën dhe të nesërmen nisim procesin e dialogut

Zyrtarët e Bashkimit Evropian të përfshirë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me kujdes po përcjellin zhvillimet në Prishtinë, por shpresojnë se presioni i shumëfishtë ndaj Qeverisë do të tregojë shumë shpejt rezultate në mënyrë që të mundësohet zhbllokimi i procesit të dialogut. Burime nga kabineti i Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, kanë konfirmuar se në momentin e heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës, ata janë të gatshëm që “praktikisht të nesërmen” të vazhdojnë me procesin e bisedimeve. Në këtë drejtim, paralajmërohen bisedime intenzive ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të cilat do të mund të mbahen çdo javë. Zyrtarët evropianë e pranojnë se BE-ja nuk ka krijuar kurrë një “lidhje formale” ndërmjet tarifës dhe dialogut, por megjithatë ajo lidhje ekziston pasi pala serbe nuk ka mundësi të bindet për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve derisa vendimi i Qeverisë së Kosovës për tarifën mbetet në fuqi.