BE-ja dënon ashpër vrasjen e gazetares së ”Al-Jazeera”-s

Bashkimi Evropian (BE) dënoi ashpër vrasjen e gazetares së ”Al-Jazeera”-s, Shireen Abu Akleh, ndërsa po mbulonte një bastisje izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Bashkimi Evropian beri thirrje për hetime të menjëhershme.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm vrasjen e gazetares palestinezo-amerikane të ‘Al-Jazeera’-s, Shireen Abu Akleh, në Bregun Perëndimor të pushtuar”, tha në një deklaratë zyrtare zëdhënësi kryesor i shërbimit diplomatik të BE-së, Peter Stano.

Ai tha se është domethënëse që një “hetim i plotë dhe i pavarur të sqarojë të gjitha rrethanat e këtyre incidenteve sa më shpejt të jetë e mundur” dhe që ”përgjegjësit të sillen para drejtësisë”.

Deklarata gjithashtu nënvizonte se ”është e papranueshme të synohen gazetarët që punojnë” dhe se ”siguria e tyre duhet të garantohet”.

Abu Akleh, 51 vjeçe, u qëllua për vdekje teksa po mbulonte një bastisje ushtarake izraelite në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, dje në mëngjes.

Një gazetar tjetër, Ali Al-Samoudi, u qëllua pas shpine, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Stacioni informativ televiziv ”Al-Jazeera” me qendër në Doha, ka akuzuar forcat izraelite për vrasje të qëllimshme të gazetares së saj. /atsh