Pakti Turqi-Libi, krijon korridore të reja energjetike, ekonomike dhe ushtarake
Rendi gjeopolitik në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme po kalon një transformim të rëndësishëm. Mosmarrëveshjet për kufijtë detarë, kontrollin e rrugëve tregtare dhe shfrytëzimin e burimeve energjetike janë kthyer në çështje qendrore për shtetet e rajonit.
Në këtë kontekst, marrëveshja për përcaktimin e juridiksionit detar mes Turqisë dhe Libisë mund të shërbejë si pikënisje për një model të ri bashkëpunimi rajonal.
Nisma synon të zgjerohet duke përfshirë Algjerinë, Tunizinë, Egjiptin, Sirinë dhe Spanjën, ndërsa në një fazë të mëvonshme mund të interesohet edhe Italia.
Ideja është krijimi i një korridori strategjik energjetik, tregtar dhe të sigurisë, nga Mesdheu Perëndimor deri në brigjet lindore të tij.
Bashkëpunimi për zonat ekskluzive ekonomike (ZEE) do të mundësonte zgjidhjen e mosmarrëveshjeve detare dhe shfrytëzimin e përbashkët të burimeve natyrore.
Rëndësia e kësaj nisme rritet në kushtet kur Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur, Bab El-Mandebi përballet me rrezikun e bllokimit dhe Deti i Zi mbetet një zonë e pasigurt.
Mesdheu mund të shndërrohet kështu në një rrugë alternative për furnizimin e Evropës me energji, veçanërisht përmes gazit natyror nga Algjeria dhe Libia.
Marrëveshja Turqi-Libi mbështetet në pretendimet për shelfin kontinental dhe zonat ekskluzive ekonomike, ndërsa është regjistruar në Sekretariatin e OKB-së, në përputhje me nenin 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Si precedentë juridikë përmenden vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen Rumani-Ukrainë dhe ishullin e Gjarprit, në vitin 2009, si dhe marrëveshjet detare mes Tunizisë dhe Italisë të viteve 1971-1979.
Pengesa kryesore mbetet kundërshtimi i Greqisë dhe mbështetja që ajo merr nga Bashkimi Evropian. Mosmarrëveshja lidhet veçanërisht me efektet juridike që Athina u njeh ishujve si Kreta dhe Rodos në përcaktimin e kufijve detarë.
urqia i konsideron këto pretendime të padrejta, ndërsa Libia pretendon se një pjesë e hapësirave detare i përket juridiksionit të saj. Marrëveshja me Ankaranë i ka dhënë Tripolit një instrument për të mbrojtur pretendimet mbi një sipërfaqe prej rreth 16.700 kilometrash katrorë.
Në këtë përplasje përfshihen edhe Izraeli, Greqia dhe administrata qipriote greke, të cilat kanë zhvilluar bashkëpunim për gazin natyror, ndërlidhjet elektrike dhe sigurinë ushtarake.
Vendburimet Leviathan dhe Tamar, si dhe projekti i gazsjellësit EastMed drejt Evropës, janë pjesë e këtij konfigurimi strategjik. Përfshirja e Algjerisë dhe Tunizisë do t’i jepte nismës një peshë të konsiderueshme.
Turqia do të kontribuonte me teknologjinë e kërkimeve sizmike dhe shpimeve, Libia me rezervat e saj të hidrokarbureve, Algjeria me përvojën e konsoliduar në sektorin energjetik, ndërsa Tunizia me pozicionin e saj strategjik në qendër të Mesdheut.
Libia zotëron rreth 48.36 miliardë fuçi rezerva të provuara nafte dhe 3.5 trilionë metra kub gaz natyror. Një rol vendimtar mund të luajë edhe Egjipti, i cili disponon rreth 3.3 miliardë fuçi rezerva nafte dhe burime të konsiderueshme gazi.
Megjithatë, Kajroja ka ndërtuar bashkëpunim të ngushtë me Greqinë dhe Izraelin. Vështirësitë ekonomike, varësia nga mbështetja financiare e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Marrëveshjet e Abrahamit kanë kufizuar hapësirën e saj për një politikë të pavarur rajonale.
Megjithatë, një marrëveshje për zonën ekskluzive ekonomike me Turqinë mund t’i sigurojë Egjiptit më shumë se 15.000 kilometra katrorë hapësirë detare shtesë, si dhe mundësi të reja për kërkimin e gazit dhe naftës.
Një zhvillim i tillë do të vinte në pikëpyetje planet energjetike të Izraelit dhe bashkëpunimin e tij me Greqinë dhe Qipron. Në Mesdheun Perëndimor, Spanja mund të shërbejë si urë lidhëse mes Afrikës së Veriut dhe Evropës.
Infrastruktura e saj e gazit e bën një pikë të rëndësishme për transportin e energjisë nga Algjeria dhe Libia drejt tregjeve evropiane. Një tjetër mundësi është hidrogjeni i gjelbër, i prodhuar me energji diellore në Afrikën e Veriut dhe i shpërndarë në Evropë përmes infrastrukturës spanjolle.
Përfshirja e Madridit mund të ndihmojë edhe në zbutjen e mosmarrëveshjeve me Algjerinë, të shkaktuara nga përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike algjeriane në vitin 2018, që preku edhe hapësirat pranë Ishujve Balearikë.
Ndërkohë, marrëdhëniet e Spanjës me Izraelin janë përkeqësuar pas kundërshtimit të qeverisë së Pedro Sánchez ndaj operacioneve ushtarake izraelite.
Benjamin Netanyahu e ka shpallur kryeministrin spanjoll person të padëshiruar. Zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit në Spanjë mund të ndikojnë gjithashtu në orientimin e ardhshëm të Madridit ndaj kësaj nisme.
Edhe Siria konsiderohet partnere e mundshme. Bregdeti, portet strategjike dhe potenciali energjetik mund ta bëjnë atë pjesë të rëndësishme të korridorit.
Pas stabilizimit të shtetit, një marrëveshje detare me Turqinë mund të ndihmojë në forcimin e sigurisë dhe në krijimin e mundësive të reja për rindërtim dhe investime.
Në tërësi, projekti synon të ndërtojë një hapësirë të përbashkët bashkëpunimi për energjinë, tregtinë, logjistikën dhe sigurinë, duke lidhur Evropën, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.
Ai paraqitet si alternativë ndaj rivaliteteve dhe përplasjeve për kontrollin e Mesdheut, por edhe ndaj zgjerimit të ndikimit të fuqive të jashtme.
Suksesi i tij do të varet nga aftësia e Turqisë, Libisë, Algjerisë, Tunizisë, Egjiptit, Sirisë, Spanjës dhe Italisë për të kapërcyer interesat e kundërta dhe për të ndërtuar një strategji të përbashkët rajonale. /tesheshi






