Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, të vendosura në maj 2023.
Në një përgjigje zyrtare për Tëvë1, BE ka bërë të ditur se blloku evropian synon të vazhdojë me heqjen e mëtejshme të këtyre masave.
BE-ja ka mirëpritur dorëzimin e qetë të qeverisjes lokale në katër komunat veriore dhe ka theksuar se pret që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim.
Po ashtu, BE-ja ka marrë në dijeni shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, që pritet të mbahen në më 28 dhjetor, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të administruar mirë dhe konkurrues — përfshirë certifikimin e partive politike, pjesëmarrjen e tyre dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet.
“BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë mbështetjen për vendin në rrugën drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigje.
BE shtoi se pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme evropiane dhe të avancojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.








