BE thotë se Gjykata Speciale po e bën punën e saj

Sot në Hagë, në Dhomat e Specializuara është intervistuar ish-komandanti Rrustem Mustafa – Remi. Me rastin e këtij intervistimi të parë në Gjykatën Speciale ka folur edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç. Gjatë një prononcimi për agjencinë e lajmeve serbe ‘Tanjug’, Kocijançiç ka thënë se kjo gjykatë është duke e bërë punën e saj. “Nuk më takon mua të komentojë punën e Gjykatës Speciale, ajo po e bën punën e saj. Në një kontekst më të gjerë, në aspektin e marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit, pajtimi është një nga parimet kryesore”, ka thënë ajo, përcjell lajmi.net. Nga media në fjalë, Kocijançiç është pyetur se a mund të ndikojë puna e kësaj gjykate në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe në dialog, ajo ka theksuar se BE-ja ka një qëndrim të qartë kur është fjala për krimet e luftës. “Bashkimi Evropian ka qëndrim të qartë kur bëhet fjalë për krime të luftës, pavarësisht se për kënd është fjala”, ka përfunduar Kocijançiq.