Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se vendi i tij qëndron përkrah aleatëve strategjik në përpjekjet për të eliminuar çdo kërcënim terrorist dhe për t’u përballur me regjimin e Ajatollahëve në Iran, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Begaj shprehu mbështetjen e plotë për Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretërinë e Arabisë Saudite, Jordaninë, Kuvajtin dhe Bahreinin, duke theksuar se qytetarët e këtyre vendeve po përballen me sulme agresive nga regjimi i Ajatollahëve.
“Shqipëria qëndron përkrah aleatëve tanë strategjik në përpjekjet për të eliminuar çdo kërcënim terrorist dhe për t’u përballur me regjimin Ajatollah të Iranit”, shkroi Begaj.
Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria lutet për paqe, siguri dhe rivendosjen e stabilitetit në rajon.
Dje, SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një sulm të përbashkët ndaj Iranit, ndërsa Teherani reagoi me sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë.
Sot, Irani konfirmoi vdekjen e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei dhe disa zyrtarëve të lartë në këto sulme.



