Bennett: Nuk ka imunitet për Netanyahun në akuzat për korrupsion

Naftali Bennett, partner në qeverinë e koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, deklaroi se është kundër miratimit të një ligji me të cilin kryeministrit Netanyahu do t’i jepej imunitet në proceset gjyqësore në të cilat akuzohet për ryshfet, raporton Anadolu Agency (AA). 

“Nuk do të mbështesim një ligj i cili do të ndikojë në situatën aktuale”, tha Bennett në cilësi të kryetarit të partisë së Re të Drejtësisë, i cituar nga portali “The Times of Israel”.

Bennett, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Arsimit, tha se megjithatë, partia e tij do të mbështeste Netanyahun si kryeministrin e ardhshëm të vendit.

Ditë më parë, prokurori i Përgjithshëm i Izraelit, Avichai Mandelblit, tha se do të ngrejë padi kundër Netanyahut për tre raste të veçanta në të cilat akuzohet për korrupsion dhe ryshfet.

Mandelblit me gjasë do të ngrejë padi për “Rastin 4000”, në të cilin Netanyahu akuzohet se i ka dhënë favore kompanisë Bezeq Telecom në Izrael, në këmbim të mbulimit të favorshëm të figurës së tij në ueb-faqen e kompanisë.

Kryeministri i Izraelit me gjasë do të akuzohet edhe për mashtrim dhe shkelje të besimit në lëndën “Rasti 1000”, në të cilin është i përfshirë edhe producenti izraelit i filmit në Hollywood, Arnon Milchan, të cilit thuhet se i është kërkuar të blinte artikuj luksoz për Netanyahun dhe gruan e tij.

Ai mund të akuzohet edhe në rastin e tretë të njohur si “Rasti 3000”, që ka të bëjë me një marrëveshje për mbulim të favorshëm mediatik nga Arnon Mozes, botues i të përditshmes Yedioth Ahronoth.

Një sondazh i kryer së fundmi flet se gjysma e opinionit izraelit beson se Netanyahu duhet të japë dorëheqje nëse do të akuzohet për marrje ryshfeti.