Berisha të rinjve: Shqipëria shpëtohet me revolucion

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, deklaroi se është i bindur se rinia e vendit ka “të gjithë potencialin, të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik”.

“Sot ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju, drejtuesit tuaj, anëtarët, anëtarët e PD-së, u shndërruat në fibrën më të fuqishme të rithemelimit të PD-së, të rivitalizimit të saj, u shndërruat në vis vitalis të atij revolucioni, që kishte dy qëllime madhore: shpëtimin e PD-së dhe shpëtimin e Shqipërisë. Ju vini krenarë, pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë. Ju vini krenarë dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm, më të motivuar në misionin e dytë, i cili është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe Shqipërisë”, tha Berisha.

“A do mundeni ju, me energjinë, me guximin, me përkushtimin tuaj, të shpëtoni Shqipërinë, e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe, e cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm ndër më të egrit në historinë e ekzistencës tonë kombëtare. A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë, e cila është sot, vendi, shoqëria më e adresuar, më viktimë e mafias shqiptare rajonale dhe botërore? Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, keni të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik”, theksoi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, “Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion”.

“E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve”, u shpreh Berisha.