Mbështetësit e organizatës terroriste PYD/PKK sulmuan një konferencë shtypi të një zëdhënësi të qeverisë gjermane, në protestën e fundit radikale dhe të dhunshme nga grupi, raporton Anadolu Agency (AA).
Pesë demonstruesit që mbanin flamuj të grupit terrorist hynë në sallën e konferencave të një qendre mediale të Berlinit, pasi Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, arriti në konferencën e rregullt për shtyp.
Protestuesit me slogane kundër operacionit vazhdues ushtarak të Turqisë, që ka shënjestër terroristët e PYD/PKK-së në Sirinë veriperëndimore, i bënë thirrje Berlinit të ndal shitjen e armëve për partnerin e saj të NATO-s, Turqinë.
Simpatizantët e PYD/PKK-së u larguan nga salla e konferencave pasi një roje e sigurisë kërkoi nga ata të lëshonin sallën.
Gjermania ka qenë dëshmitare e një numri në rritje të protestave radikale dhe dhunës nga mbështetësit e PYD/PKK-së, që kur grupi dy javë më parë filloi një fushatë për të protestuar kundër operacionit “Dega e Ullirit” të Turqisë.
Simpatizantët e grupit sulmuan pesë xhami të drejtuara nga shoqatat turko-muslimane në Gjermani dhe kërcënuan me më shumë dhunë.
Javën e kaluar, disa qytetarë turq poashtu u sulmuan nga protestuesit e PYD/PKK-së në aeroportin e Hannoverit.
PKK që nga viti 1993 është ndaluar në Gjermani, por ende mbetet aktive me rreth 14.000 pasues në mesin e popullsisë emigrante kurde të vendit.
Turqia ka kritikuar gjatë kohë partnerin e saj të NATO-s, Gjermaninë, për mosmarrjen e masave serioze kundër PKK-së, e cila përdor vendin si një platformë për ngritjen e fondeve, aktivietet e rekrutimit dhe propagandës.
Gjermania ka një komunitet turk prej tre milionë banorësh, shumë prej të cilëve janë shtetas gjermanë me origjinë turke, të gjeneratës së dytë dhe të tretë, gjyshërit e të cilëve u shpërngulën në vend gjatë viteve 1960.