Festimet e Krishtlindjeve u zhvilluan me hov të plotë në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor, për herë të parë që nga fillimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës në tetor 2023.
Gjatë luftës, festimet në qytet, vendlindjen e Jezu Krishtit, u anuluan ose u zhvilluan në mënyrë të zbehtë, në shenjë respekti për mijëra njerëz që humbën jetën nga sulmet izraelite.
Kryebashkiaku i Betlehemit, Hanna Hanania, tha për Anadolu se autoritetet komunale nisën një fushatë një muaj më parë për t’i dërguar botës një mesazh të qartë se “paqja është e vetmja rrugë në tokën e Palestinës”.
“Këto festime këtë vit mbartin një mesazh shprese dhe qëndrueshmërie për popullin tonë dhe një mesazh për botën se populli palestinez e do paqen dhe jetën”, tha ai.
Ai tha se qyteti palestinez është gati të mirëpresë vizitorë nga e gjithë bota për të festuar Krishtlindjen.
Elias Al-Arja, kreu i Shoqatës Arabe të Hoteleve, tha se zënia e hoteleve në Betlehem arriti rreth 80 për qind më 24–25 dhjetor, me gati 8.000 mysafirë, përfshirë rreth 6.000 vizitorë nga qytetet arabe në Izrael, si dhe turistë nga disa vende si India, Rumania dhe Nigeria.
– Atmosferë festive
Për herë të parë pas dy vitesh, pema ikonike e Krishtlindjes e Betlehemit u vendos sërish në Sheshin Manger pasi festimet kishin qenë të ndaluara për shkak të luftës në Gaza.
Pelegrinët dhe turistët u mblodhën për të bërë fotografi pranë pemës dhe Kishës së Lindjes së Krishtit, ndërsa fëmijët luanin aty afër.
“Ne kemi ardhur sot të gëzuar për Krishtlindje, të mbushur me shpresë dhe duke u lutur për paqe”, tha George Sobuh, një banor palestinez, ndërsa shoqëronte familjen e tij në kishë.
“Paqe për tokën e paqes, tokën e Krishtit”, tha ai.
At Issa Thaljieh nga Kisha Ortodokse Greke tha se mesazhi i Krishtlindjeve në Betlehem këtë vit është një mesazh dashurie dhe paqeje për botën.
Ai vuri në dukje se atmosfera ndihet ndryshe këtë vit me rikthimin e pemës së Krishtlindjes dhe pjesëmarrjen e palestinezëve nga brenda Izraelit, krahas delegacioneve turistike vizituese.
Megjithatë, ai tha se gëzimi mbetet i paplotë për sa kohë që palestinezët në Gaza, ku më shumë se 71.000 njerëz janë vrarë nga lufta izraelite, vazhdojnë të vuajnë.
Grupet e skautëve parakaluan në Sheshin Manger përpara pritjes ceremoniale të Patriarkut Latin të Kudsit, Kardinal Pierbattista Pizzaballa, në prani të zyrtarëve palestinezë dhe turmave.
Festimet e Krishtlindjeve për të krishterët perëndimorë kulmojnë me Meshën e Mesnatës natën e 24–25 dhjetorit në Kishën e Lindjes së Krishtit, ndërsa kishat lindore do ta festojnë Krishtlindjen më 7 janar.


