Biden e quan gjenocid atë që po bën Rusia në Ukrainë

Presidenti Joe Biden deklaroi pak orë më parë se lufta e Rusisë në Ukrainë përbënte “gjenocid”, duke akuzuar presidentin Vladimir Putin se po përpiqej të “fshinte idenë e të qenit ukrainas”.

“Po, e quajta gjenocid. Është bërë gjithnjë e më e qartë se Putin thjesht po përpiqet të fshijë idenë e të qenit ukrainas”, u tha ai gazetarëve pak para se të hipte në Air Force One për t’u kthyer në Uashington.

Biden tha vetëm kaq dhe as ai e as administrata e tij nuk njoftuan pasoja të reja për Rusinë apo ndihmë për Ukrainën.

Komentet e Biden tërhoqën vëmendjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili i kishte inkurajuar liderët perëndimorë që të përdornin termin “gjenocid” për të përshkruar pushtimin rus të vendit të tij.

“Fjalët e vërteta të një lideri të vërtetë @POTUS”, shkroi Zelensky në Twitter. “T`u vësh gjërave emrin e vërtetë është thelbësore për t’i bërë ballë të keqes. Ne jemi mirënjohës për ndihmën e SHBA-së të ofruar deri më tani dhe kemi nevojë urgjente për më shumë armë të artilerisë së rëndë për të parandaluar mizoritë e mëtejshme ruse.”

Një traktat i Kombeve të Bashkuara, në të cilin Shtetet e Bashkuara janë palë, e përkufizon gjenocidin si “veprime të ndërmarra me qëllim për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”.

Udhëheqësit e kaluar amerikanë shpesh kanë shmangur deklaratat zyrtare edhe nëpër situata të përgjakshme si ajo e Rusisë në Ukrainë, duke hezituar të përmendin termin gjenocid. Zakonisht liderët presin marrjen e vendimeve ndërkombëtare, të gjykatave, për të bërë deklarata të këtij lloji.

Deri javën e kaluar Biden nuk besonte se veprimet e Rusisë përbënin gjenocid, thjesht se ato përbënin ‘krime lufte’. Tashmë pritet reagimi i Kremlinit. /tiranapost