Biden: SHBA do të dërgojë sisteme të avancuara raketash në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë sisteme të avancuara raketore në Ukrainë, ndërsa ajo po lufton kundër pushtimit rus, tha presidenti amerikan, Joe Biden.

Biden konfirmoi vendimin në një opinion për ”New York Times” duke deklaruar se ”lufta në Ukrainë do të përfundojë vetëm përmes diplomacisë” dhe se “çdo negociatë pasqyron faktet në terren”.

“Ne kemi lëvizur shpejt për t’i dërguar Ukrainës një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh në mënyrë që ajo të mund të luftojë në fushën e betejës dhe të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e bisedimeve”, shkroi Biden.

“Kjo është arsyeja pse unë kam vendosur që ne do t’u ofrojmë ukrainasve sisteme më të avancuara raketore dhe municione që do t’i lejojnë ata të godasin më me saktësi objektivat kryesore në fushën e betejës në Ukrainë”, shtoi ai.

Ai vuri në dukje se Uashingtoni nuk po e nxiste Ukrainën të sulmonte përtej kufijve të saj në Rusi.

Udhëheqësi amerikan nuk dha detaje se për cilat sisteme i referohej.

Uashingtoni kishte thënë më parë se po konsideronte dërgimin e Sistemeve Multi-Launch (MLRS) dhe të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS) të prodhuara në SHBA. /atsh