Dana Olmert kërkon t’i jepet fund diskriminimit dhe aparteidit ndaj palestinezëve
Dana Olmert, vajza e ish-kryeministrit izraelit Ehud Olmert, deklaroi se është prangosur dhe rrahur nga policia gjatë arrestimit të saj në Tel Aviv, duke tërhequr vëmendjen te dhuna dhe keqtrajtimi që përballen të burgosurit palestinezë në qendrat izraelite të paraburgimit.
“Të premten u arrestova me dhunë nga policia e Ben-Gvirit”, shkroi Olmert në një postim në Facebook, duke iu referuar ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Sipas saj, arrestimi ndodhi vetëm pak metra larg banesës së saj në Tel Aviv, pasi iu përgjigj thirrjes së një miku për të shprehur solidaritet me një protestues, i cili sipas saj, ishte ngacmuar vazhdimisht nga policia për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat kundër ish-kryetarit të Knessetit, Amir Ohana.
“ Nuk e kisha imagjinuar se nuk do të kthehesha në shtëpi deri rreth orës 23:00, pasi kisha kaluar orë të tëra në një qeli paraburgimi, e prangosur dhe e rrahur. Sjellja e policëve ishte jashtëzakonisht e dhunshme”, deklaroi ajo.
Olmert tha se ka marrë pjesë prej vitesh në protesta, por nuk ishte arrestuar asnjëherë më parë. Ajo u lirua me kushte kufizuese, pasi pagoi një garanci financiare prej disa mijëra shekelësh.
Trajtimi i palestinezëve
Megjithatë, ajo theksoi se përvoja e saj nuk mund të krahasohet me atë që përjetojnë palestinezët në burgjet izraelite. Sipas saj, ndryshe nga shumë të paraburgosur palestinezë dhe aktivistë, ajo pati mundësi të siguronte përfaqësim ligjor.
Në dëshminë e saj përmendi edhe rastin e studentit palestinez Mahdi Tunsi, i cili studion kriminologji në Jerusalem. Sipas Olmert, dy javë më parë ai u arrestua me dhunë nga agjencia izraelite e sigurisë, Shin Bet, dhe që prej atëherë po mbahet në kushte të rënda.
Ajo pretendon se studentit i kanë rruar flokët dhe mjekrën, ndërsa i kanë konfiskuar edhe syzet.
“Të arrestohesh nuk është aspak e këndshme. Por ajo që përjetova unë zbehet përballë asaj që u ndodh palestinezëve, të cilët shërbimet e sigurisë i arrestojnë dhe i zhdukin për muaj të tërë, nën termin rrëqethës ‘arrest administrativ’”, shkroi ajo.
“Duhet të mos lejojmë që kjo të kalojë në heshtje. Nuk duhet të bëhemi bashkëpunëtorë të saj”, shtoi Olmert.Ajo bëri të ditur se ka paraqitur një ankesë në Departamentin e Hetimeve të Brendshme të Policisë kundër efektivit që e akuzon për ushtrim dhune dhe arrestim pa shkak.
“Pres me padurim ditën kur Mahdi të lirohet dhe të ketë mundësi të paraqesë edhe ai një ankesë për arrestimin e tij. Fund aparteidit! Fund racizmit!”, përfundoi ajo.
Edhe vëllai i saj, Shaul Olmert, reagoi përmes platformës X, duke konfirmuar se motra e tij 50-vjeçare, e cila ka doktoraturë në letërsi, ishte prangosur dhe arrestuar me dhunë nga policia.
Sipas organizatave izraelite dhe palestineze për të drejtat e njeriut, rreth 9.350 palestinezë mbahen aktualisht në burgjet izraelite. Mes tyre janë rreth 350 fëmijë dhe 90 gra.
Organizatat kanë raportuar raste torture, kequshqyerjeje dhe neglizhence mjekësore, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra të burgosurve.
Ndërkohë, më 16 nëntor, zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Thameen Al-Kheetan, deklaroi se zyra e OKB-së kishte dokumentuar raste të përhapura dhe sistematike torture dhe keqtrajtimi të palestinezëve në qendrat izraelite të ndalimit.
Ai kërkoi lirimin e të gjithë palestinezëve që mbahen në mënyrë arbitrare. \tesheshi







